Friday, 3 April 2026
54°F Detroit
BallinaBotaGreqia përballet me mungesë rekord punonjësish të kualifikuar

Greqia përballet me mungesë rekord punonjësish të kualifikuar

Mungesa e punonjësve me aftësi të specializuara po prek pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë greke, sipas raportit të vitit 2026 të “Manpower Group” mbi mungesat në tregun e punës.

Punëdhënësit në Greqi po e kanë më të vështirë të gjejnë staf të kualifikuar krahasuar me një vit më parë.

Sipas raportit, 84% e 520 punëdhënësve të anketuar në Greqi deklaruan se kanë vështirësi në rekrutimin e personelit të specializuar, një rritje prej 2% në krahasim me vitin 2025.

Me këtë nivel, Greqia renditet ndër tre vendet me mungesat më të larta të fuqisë punëtore të kualifikuar mes 41 vendeve të përfshira në studim, së bashku me Japoninë, ndërsa Sllovenia kryeson me 87%.

“Manpower” thekson se rritja e mungesës së talenteve në Greqi lidhet me shtimin e kërkesës për aftësi teknike dhe digjitale, përshpejtimin e investimeve në sektorë bazë si ndërtimi dhe industria, si edhe hendekun e vazhdueshëm mes nevojave të tregut dhe aftësive praktike që ofron fuqia ekzistuese punëtore.

Raporti nënvizon gjithashtu se, për herë të parë, aftësitë në fushën e inteligjencës artificiale kanë kaluar në krye të nevojave në sektorin e Teknologjisë dhe Shërbimeve IT.

Në nivel global, 72% e punëdhënësve thanë se kanë vështirësi për të gjetur personelin e nevojshëm, një rënie e lehtë nga 74% një vit më parë.

Megjithatë, përtej zhvillimeve teknologjike, aftësitë njerëzore mbeten vendimtare në tregun grek të punës.

Aftësitë më të kërkuara janë komunikimi dhe bashkëpunimi, profesionalizmi dhe etika profesionale, si edhe mendimi kritik dhe zgjidhja e problemeve.

Sipas “Manpower”, kjo pasqyron një prirje globale ku aftësitë e buta po bëhen edhe më të rëndësishme për përdorimin efektiv të teknologjive të reja.

Përballë mungesave të vazhdueshme, punëdhënësit në Greqi po zhvendosin gradualisht fokusin nga kërkimi i talenteve në treg drejt trajnimit të stafit ekzistues.

Rreth 23% e tyre investojnë në ngritjen dhe rikualifikimin e punonjësve, 21% kërkojnë burime të reja talentesh, ndërsa 20% po rrisin pagat. Ndërkohë, 12% e punëdhënësve nuk ndërmarrin asnjë masë./  /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment