“Albanian Heritage Night” në Detroit Tigers drejt shitjes së plotë – biletat e fundit në dispozicion
Një nga eventet më të shumëpritura për komunitetin shqiptar në Michigan, “Albanian Heritage Night” në stadiumin e Detroit Tigers, është drejt shitjes së plotë, ndërsa organizatorët paralajmërojnë se kanë mbetur vetëm pak bileta.
Ky aktivitet i veçantë pritet të mbledhë qindra shqiptarë nga zona e Detroit-it dhe më gjerë, në një mbrëmje që ndërthur sportin me kulturën dhe identitetin kombëtar. Interesi i lartë ka bërë që paketat e biletave të shiten me ritme të shpejta, duke lënë në dispozicion vetëm vendet e fundit.
Organizatorët theksojnë se ata që vonohen rrezikojnë të humbasin jo vetëm mundësinë për të qenë pjesë e këtij eventi, por edhe përfitimin e fanellës speciale të trashëgimisë shqiptare, e cila përfshihet vetëm në paketat zyrtare dhe është në numër të kufizuar.
Mbrëmja do të ketë një dimension të fortë kulturor. Para fillimit të ndeshjes, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë një performancë tradicionale nga “Grupi Gjergj Kastrioti”, i cili do të sjellë në skenë vallet dhe energjinë shqiptare. Organizatorët rekomandojnë që pjesëmarrësit të mbërrijnë herët për të mos humbur këtë pjesë të programit.
Kjo natë konsiderohet një moment i rëndësishëm për komunitetin shqiptar në Michigan, duke ofruar një mundësi për t’u bashkuar, për të festuar kulturën dhe për ta përfaqësuar atë me krenari në një nga arenat më të njohura sportive në SHBA.
Për grupet mbi 10 persona, rezervimet mund të bëhen përmes kontaktit direkt me organizatorët, ndërsa për grupet më të vogla biletat mund të blihen online përmes linkut të dedikuar.
Organizatorët japin një mesazh të qartë: mos prisni deri në momentin e fundit. Ky është një event që pritet të mbyllet shumë shpejt dhe që, sipas tyre, nuk duhet humbur.