Wednesday, 1 April 2026
54°F Detroit
BallinaBotaBE kërkon veprim të përbashkët kundër flotës në hije të Rusisë

BE kërkon veprim të përbashkët kundër flotës në hije të Rusisë

– Shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka bërë thirrje për rritje të ndjeshme të presionit ekonomik ndaj Rusisë, me synimin për të përshpejtuar përfundimin e luftës në Ukrainë.

Në një intervistë për transmetuesin publik gjerman ARD, ajo theksoi nevojën për masa të koordinuara kundër të ashtuquajturës “flotë në hije” të Rusisë, e cila përdoret për eksportin e naftës dhe sigurimin e të ardhurave që financojnë luftën.

Kallas nënvizoi se aleatët perëndimorë duhet të jenë më kreativë dhe të veprojnë së bashku, duke shtuar se sanksionet do të kishin ndikim shumë më të madh nëse vendoseshin në mënyrë të njëjtë nga Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuar të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe partnerët e tjerë të G7-s.

Sipas saj, fokusi aktual duhet të jetë rritja e presionit ndaj Moskës, në mënyrë që Rusia të detyrohet t’i japë fund luftës.

Ajo shtoi se ekonomia ruse po përballet me vështirësi dhe nuk është në gjendje të mirë.

“Flota në hije” përfshin cisterna dhe anije mallrash që përdoren për të shmangur sanksionet ndërkombëtare, veçanërisht në transportin e naftës.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar gjithashtu se këto anije mund të shfrytëzohen për operacione të tjera, përfshirë përdorimin si platforma për dronë apo aktivitete spiunazhi.

E pyetur nëse lufta në Iran ka ndikuar në devijimin e armëve të destinuara për Ukrainën, Kallas tha se kishte kërkuar sqarime nga NATO.

Sipas informacionit që mori, armët po vazhdojnë të dërgohen në Ukrainë sipas planit dhe nuk ka prova për devijime drejt Lindjes së Mesme./   /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment