Bisedime afgano-pakistaneze, pas përplasjeve kufitare
Pakistani dhe Afganistani janë rikthyer në tryezën e bisedimeve, ndërsa përpiqen të stabilizojnë marrëdhëniet pas muajsh tensioni dhe përplasjesh të herëpashershme në kufi, thanë sot zyrtarë dhe burime.
Luftimet dhe sulmet reciproke mes dy vendeve fqinje kanë vazhduar për rreth pesë javë. Islamabadi akuzon Kabulin se strehon militantë që kryejnë sulme në territorin pakistanez, ndërsa pala afgane i mohon këto pretendime.
Raundi i ri i dialogut po zhvillohet në qytetin jugor kinez Urumqi, në rajonin autonom të Xinjiang-ut, që kufizohet me Pakistanin. Vendi i takimit është propozuar nga ndërmjetësit kinezë, të cilët kanë zhvilluar bisedime me të dyja palët gjatë konfliktit aktual.
Kina konsiderohet një partner strategjik i Pakistanit dhe ka gjithashtu interesa ekonomike në Afganistan. Nëse ky raund fillestar me zyrtarë të nivelit të mesëm rezulton pozitiv, pritet që në proces të përfshihen edhe zyrtarë të lartë.
Ndërkohë, Pakistani rihapi dje përkohësisht pikën kufitare të Torkham, një nyje kyçe tranziti që përdoret edhe për kthimin e refugjatëve afganë. Kjo pikë kishte mbetur e mbyllur që nga përkeqësimi i marrëdhënieve.
Talebanët kishin kërkuar që herët ndërmjetësim në konflikt, ndërsa Pakistani konsiderohet ushtarakisht më i fuqishëm. Përplasje kishte pasur edhe vjeshtën e kaluar, ndërsa përpjekjet ndërmjetësuese nga vende si Turqia, Arabia Saudite dhe Katari nuk sollën paqe të qëndrueshme.
Së fundmi, ekspertë të Kombeve të Bashkuara kanë kritikuar Pakistanin për mungesë provash të mjaftueshme se qeveria afgane ka urdhëruar grupin militant Tehrik-e-Taliban Pakistan për të kryer sulme në Pakistan, duke vënë në pikëpyetje justifikimin e veprimeve ushtarake të Islamabadit./ /Ad.Ab./ a.jor.