Gabimi që u kthye në fat: një klikim i gabuar i sjell 251 mijë dollarë një lojtareje në Michigan
Një klikim i gabuar në momentin e zgjedhjes së numrave u kthye në një fitore të madhe për një lojtare të lotarisë në Michigan, e cila fitoi plot 251,738 dollarë.
Fituesja, një grua 57-vjeçare që ka zgjedhur të mbetet anonime, arriti të përputhë të pesë numrat e shortit Fantasy 5 (08-10-11-22-39) në hedhjen e 13 marsit, duke siguruar çmimin e madh. Bileta fituese u ble online.
Sipas saj, gjithçka nisi nga një gabim i vogël. “Po blija një biletë Fantasy 5 online dhe, teksa po zgjidhja numrat, klikova gabimisht 39 në vend të 47. Vendosa ta lë ashtu, sepse nëna ime më ka thënë gjithmonë: ‘Nuk ka rastësi!’”, u shpreh ajo.
Më vonë gjatë natës, ajo mori një email nga lotaria, por këtë herë nuk ishte njoftimi i zakonshëm për një fitore të vogël. “Kur u futa në llogarinë time dhe pashë shumën që kisha fituar, nuk po e besoja. Ecja nëpër shtëpi për orë të tëra duke u përpjekur ta kuptoja çfarë kishte ndodhur,” tregoi ajo.
Fituesja shtoi se gjithmonë e ka parë lojën si argëtim dhe nuk e kishte menduar kurrë se do të fitonte një shumë kaq të madhe. Reagimi i saj i parë ishte tronditje dhe mosbesim.
Ajo tashmë e ka tërhequr çmimin dhe planifikon ta kursejë shumën. “Nuk kam plane të mëdha për momentin. Kam pasur një jetë të mirë, ndaj do t’i vendos paratë në një llogari kursimi dhe do të vazhdoj jetën normalisht,” tha ajo.
Shortet e Fantasy 5 zhvillohen çdo ditë në orën 7:29 të mbrëmjes.
Autoritetet rikujtojnë se lojërat e fatit duhet të trajtohen me kujdes. Për këdo që ka probleme me lojërat e fatit në Michigan, mund të kërkojë ndihmë në numrat 1-800-GAMBLER ose 1-800-270-7117, ose përmes faqes së Michigan Gaming Control Board.