Monday, 30 March 2026
54°F Detroit
BallinaKomunitetiKisha Katolike Shqiptare e Shën Palit në Rochester Hills publikon orarin e Javës së Madhe

Kisha Katolike Shqiptare e Shën Palit në Rochester Hills publikon orarin e Javës së Madhe

Komuniteti shqiptar katolik në Kisha Katolike Shqiptare e Shën Palit ka publikuar orarin e plotë të ceremonive për Javën e Madhe, duke ftuar besimtarët të marrin pjesë në një nga periudhat më të rëndësishme shpirtërore të vitit.

Programi nis të hënën me meshën në orën 9:00 të mëngjesit, ndërsa në mbrëmje, nga ora 17:00 deri në 21:00, do të zhvillohen rrëfimet, si një moment reflektimi dhe përgatitjeje për Pashkë. Të martën, mesha do të mbahet në orën 19:00, ndërsa të mërkurën besimtarët rikthehen në meshën e mëngjesit në orën 9:00 dhe rrëfimet në mbrëmje.

Ritet kulmore nisin me të Enjten e Madhe, kur në orën 19:00 zhvillohet ceremonia e Darkës së Fundit, e ndjekur nga adhurimi deri në mesnatë. Të Premten e Madhe, në orën 18:15 organizohet Udha e Kryqit, ndërsa në orën 19:00 mbahet ceremonia e Mundimeve të Krishtit.

Të shtunën në mbrëmje, në orën 20:00, zhvillohet Mesha e Natës së Pashkëve, një nga momentet më simbolike të besimit të krishterë, që përfaqëson ringjalljen e Krishtit dhe fitoren e jetës mbi vdekjen.

Ndërsa të dielën e Pashkëve, në Kisha Katolike Shqiptare Shën Pali do të mbahen dy meshë festive, në orën 10:00 dhe në 12:30.

Ky program përfaqëson një ftesë të hapur për të gjithë besimtarët shqiptarë në zonën e Michiganit që të marrin pjesë në këto rite të shenjta, duke përjetuar së bashku mesazhin e shpresës, faljes dhe ringjalljes që sjell festa e Pashkëve.

Lini një koment