Monday, 30 March 2026
54°F Detroit
BallinaPolitikaNjë tjetër shqiptar hyn në garën për Kongresin amerikan: John Goci shpall kandidaturën në Michigan

Një tjetër shqiptar hyn në garën për Kongresin amerikan: John Goci shpall kandidaturën në Michigan

Banori i Wayne synon të sfidojë kongresmenin aktual Shri Thanedar, kërkon 3,000 firma deri më 20 prill

Një tjetër përfaqësues i komunitetit shqiptar në Michigan ka shpallur ambicien për të hyrë në politikën e lartë amerikane. John Goci, shqiptar me banim në Wayne, ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se do të kandidojë për në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, duke u bërë kështu shqiptari i tretë që synon të marrë pjesë në zgjedhjet e nëntorit.

Në një mesazh të publikuar në Facebook, Goci deklaroi se ka nisur zyrtarisht procesin e kandidimit, duke tërhequr formularët për mbledhjen e firmave të nevojshme për të qenë në fletën e votimit.

“Jam zyrtarisht në garë. Sot tërhoqa peticionet për të kandiduar për në Kongresin Amerikan. Do të sfidoj Shri Thanedar, sepse ka ardhur koha për një lidership të ri që vendos njerëzit në plan të parë,” shkruan ai.

Goci thekson se faza më e rëndësishme sapo ka filluar dhe se për të siguruar kandidimin zyrtar i nevojiten 3,000 firma deri më 20 prill. Ai u ka bërë thirrje mbështetësve të angazhohen drejtpërdrejt në fushatë, duke kontribuar në mbledhjen e firmave dhe organizimin në terren.

“Na duhen 3,000 firma deri më 20 prill për të hyrë në fletën e votimit — dhe nuk mund ta bëj i vetëm. Nëse besoni se kemi nevojë për përfaqësim më të fortë dhe përgjegjësi reale, kam nevojë për ndihmën tuaj,” shkruan ai, duke ftuar vullnetarë të bashkohen në nismë.

Në mesazhin e tij, kandidati shqiptar e paraqet këtë përpjekje si një lëvizje më të gjerë qytetare për të rikthyer besimin tek institucionet dhe për të forcuar përfaqësimin politik.

“Kështu e rimarrim qeverinë tonë — së bashku,” përfundon ai.

Kandidatura e John Goci vjen në një moment kur pjesëmarrja e shqiptarëve në jetën politike në Shtetet e Bashkuara po rritet ndjeshëm, veçanërisht në shtete si Michigan, ku komuniteti shqiptar është i konsoliduar dhe në zgjerim.

Fakti që tre kandidatë me origjinë shqiptare synojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e nëntorit shihet si një zhvillim i rëndësishëm për përfaqësimin e diasporës shqiptare dhe përfshirjen e saj në proceset vendimmarrëse në SHBA.

Lini një koment