Sulmi në sinagogën në West Bloomfield, FBI: Autori i frymëzuar nga ideologjia e Hezbollah
Autoritetet federale në Shtetet e Bashkuara deklaruan të hënën se autori i sulmit ndaj një sinagoge në West Bloomfield, i identifikuar si Ayman Ghazali, ishte i motivuar nga ideologjia e Hezbollah dhe kishte planifikuar sulmin për disa ditë, duke synuar atë që e konsideronte si tubimin më të madh hebre në Michigan.
Sipas FBI-së, sulmi i 12 marsit në Temple Israel përbën një akt terrorizmi të frymëzuar nga Hezbollah, bazuar në prova të shumta digjitale, aktivitet online dhe mesazhe të dërguara nga Ghazali përpara ngjarjes.
“Provat tona tregojnë se autori ishte i motivuar dhe i frymëzuar nga ideologjia militante e Hezbollah,” deklaroi gjatë një konference për shtyp në Detroit agjentja speciale në krye e FBI-së, Jennifer Runyan.
Hetuesit bëjnë me dije se Ghazali kishte nisur planifikimin që në fillim të marsit, duke kërkuar informacione për sinagoga, duke blerë armë dhe duke grumbulluar materiale si benzinë dhe fishekzjarrë.
Sipas autoriteteve, ai kishte krijuar edhe një album në Facebook me titull “Vengeance”, ku publikonte propagandë pro-Hezbollah dhe mesazhe që bënin thirrje për hakmarrje. Po ashtu, ai kishte dërguar dhjetëra mesazhe, video dhe imazhe motrës së tij, ndërsa ndodhej në parkingun e sinagogës, duke shprehur qartë synimin për të kryer një sulm masiv.

Në një nga mesazhet e fundit, pak minuta para sulmit, ai shkruante se do të “hynte me forcë dhe do të qëllonte” dhe se synonte të “vriste sa më shumë njerëz të ishte e mundur”, sipas FBI-së.
Autoritetet thanë se rreth orës 12:19, Ghazali përplasi kamionin e tij në ndërtesë, duke hyrë rreth 60 metra brenda një korridori, përpara se të shkëmbente zjarr me rojet e sigurisë. Automjeti më pas u përfshi nga flakët pasi materialet e ndezshme dhe fishekzjarrët që ndodheshin brenda u aktivizuan.
Pavarësisht shkallës së sulmit, nuk u raportua asnjë viktimë mes fëmijëve apo stafit.
Autoritetet theksuan se Ghazali veproi i vetëm dhe nuk ka prova për bashkëpunëtorë apo për një kërcënim të vazhdueshëm për komunitetin.
Ndërkohë, Prokurori Federal Jerome Gorgon deklaroi se provat do të mbështesnin një akuzë federale për ofrim mbështetjeje materiale ndaj Hezbollah, një organizatë e shpallur terroriste, nëse autori do të kishte mbijetuar.
“Ky person veproi në emër të Hezbollah dhe kishte për qëllim të vriste të tjerë,” u shpreh Gorgon.
Sipas hetimeve, Ghazali nuk kishte precedent penal, nuk ndodhej në listat e vëzhgimit për terrorizëm dhe nuk kishte qenë më parë subjekt i hetimeve të FBI-së.
Radikalizimi i tij duket se është zhvilluar gradualisht, me aktivitet online që daton që nga janari dhe që tregon konsum të vazhdueshëm të materialeve pro-Hezbollah dhe përmbajtjeve të dhunshme.
Autoritetet thanë gjithashtu se nuk ka prova që Ghazali të ketë pasur kontakte direkte me Hezbollah apo që persona të tjerë të kenë qenë të përfshirë në planifikimin e sulmit.
Hetimet për këtë ngjarje vijojnë ende.