Tre studentë të Universitetit Wayne State humbën jetën në një aksident automobilistik në Detroit
Universiteti Wayne State University në Detroit e nisi javën në zi pas humbjes së jetës së tre studentëve, të cilët u vranë në një aksident automobilistik pranë kampusit në orët e para të mëngjesit të së hënës, më 16 mars.
Rreth orës 1:30 të mëngjesit të së hënës, një automjet ku udhëtonin studentë të universitetit u përplas me një kamion të parkuar, duke shkaktuar vdekjen e tre të rinjve në vendngjarje.
Një student tjetër i mbijetoi përplasjes, por pësoi lëndime të rënda dhe u transportua në një spital pranë, sipas raporteve të policisë të cituara nga mediat lokale.
Aksidenti ndodhi në kryqëzimin e Temple St. dhe Cass Ave., shumë pranë Little Caesars Arena, në zonën Midtown të Detroit.
Në një mesazh të shpërndarë nga presidenti i universitetit, Richard A. Bierschbach, dhe kryetari i Bordit të Guvernatorëve, Bryan C. Barnhill II, u konfirmua se tre studentë kanë humbur jetën dhe një tjetër është “rëndë i plagosur”.
“Ne vajtojmë së bashku me familjet, miqtë, profesorët dhe bashkëstudentët e atyre që humbën jetën, dhe dërgojmë forcën tonë për studentin e plagosur dhe të dashurit e tij. Zyra e Dekanit të Studentëve po kontakton familjet e studentëve për të kuptuar dëshirat e tyre për hapat e mëtejshëm”, thuhet në mesazh.
Deri pasditen e së martës nuk janë dhënë detaje të tjera mbi këtë aksident tragjik.