Monday, 30 March 2026
54°F Detroit
BallinaSportiSilvinjo: Është e vështirë të përgatisësh një ndeshje pas takimit me Poloninë, por…

Silvinjo: Është e vështirë të përgatisësh një ndeshje pas takimit me Poloninë, por…

Në prag të ndeshjes miqësore ndaj Ukrainës që do të luhet nesër në Valencia, në orën 20:45, trajneri Silvinjo doli në konferencën zyrtare për shtyp. Braziliani u shpreh se pret një përballje të fortë dhe të vështirë, duke vlerësuar cilësinë e kundërshtarit. Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria është një ekip në rritje dhe se lojtarët janë të motivuar për të dhënë maksimumin në fushë.

Një vlerësim të kualifikueseve të Botërorit me Shqipërinë?

Është e vështirë të diskutosh për vitin e kaluar, kur kemi një ndeshje të rëndësishme përpara. Viti i kaluar nuk ka qenë më i lehti për ekipin Kombëtar, kemi pasur një rrugë të gjatë që na ka çuar deri këtu dhe mendoj që kemi dhënë më të mirën. Sigurisht që arritëm fazën play-off dhe ndeshja ndaj Polonisë ishte ndeshja më e rëndësishme e historisë së futbollit shqiptar. Ishte një ndeshje shumë e bukur, por praktikisht në momentin që humbet duket sikur çdo gjë shkon keq, por në fakt nuk është kështu. Ne nesër kemi një ndeshje tjetër të rëndësishme dhe besoj që do të jetë një ndeshje e bukur. Ukraina është një skuadër shumë e mirë. Edhe ata janë të trishtuar si ne, por janë 90 minuta të cilat janë për t’u luajtur për të marrë një rezultat të mirë.

Cila do të jetë qasja juaj për ndeshjen e nesërme duke qenë se është vetëm miqësore?

Është e vështirë të përgatisësh një ndeshje pas takimit me Poloninë. Kjo është eksperiencë e njëjtë për të dyja ekipet në fakt. Tani duhet të luash një ndeshje miqësore. Unë e kam thënë edhe më parë që nuk besoj në ndeshje miqësore, duke qenë që çdo herë që futemi në fushë jemi të përqendruar për të bërë 90 minuta shumë të mira. E kam vënë re këto ditë që ka lojtarë që më drejtohen që unë jam këtu dhe mund të luaj 45 minuta, më tepër, 90 minuta dhe sigurisht që më duhet të mendoj për atë gjë. Por sigurisht që nuk mund të bëhen 7-8 ndryshime. Pavarësisht që e shikoj si një mundësi për lojtarët e tjerë, e shikoj edhe si një punë në grup dhe skuadra duhet të organizohet si zakonisht që të funksionojë si duhet. Por sigurisht mund të kemi 3 apo 4 zëvendësime nga formacioni i mëparshëm.

Jeni ndeshur me Ukrainën edhe në Nations League, çfarë ndeshje pret dhe si është motivimi në këtë takim?

Presim një ndeshje ndryshe, të fortë dhe të vështirë sigurisht. Të dyja ekipet kanë lojtarë të mirë. Ende nuk e di formacionin me të cilin do të luaj Ukraina, po ashtu edhe Shqipëria. Do të vendoset pas drekës me një takim edhe me lojtarët dhe besoj se do të sjellim formacionin më të mirë në fushë. Në ndeshjen e kaluar nuk kemi patur një rezultat të mirë, por jemi një ekip në rritje. Në anën tjetër, Ukraina ka lojtarë shumë të mirë, ka eksperiencë sepse ka luajtur në Kupën e Botës. Lojtarë që luajnë nga 90 minuta me klubet e tyre dhe luajnë në klube të rëndësishme. Nga ana tjetër edhe ne kemi lojtarë që kanë dëshirën dhe motivimin për të treguar më të mirën edhe me Kombëtaren, të tregojnë që e meritojnë të luajnë dhe që janë gati gjithmonë. Nuk di të them se si do të jetë ndeshja, por presim një ndeshje shumë të mirë. Ne kemi shumë besim te lojtarët tanë.

Si jeni përgatitur për ndeshjen me Ukrainën?

Çdo trajner i përgatit ndeshjet njësoj. Ne kemi nisur më shumë se një muaj përpara duke parë ndeshjet e çdo kundërshtari. E kemi nisur me Ukrainën, kemi vijuar me Suedinë dhe më pas me Poloninë, duke iu afruar datës së ndeshjes së parë. Tani është më e lehtë sepse kemi parë çdo ndeshje kualifikuese të Botërorit të Ukrainës dhe kemi parë e riparë edhe ndeshjet që kemi zhvilluar së bashku në Nations League.

Cili është motivimi juaj për të qenë krenarë për ekipin tuaj për të gjithë rrugëtimin tuaj?

Gjëja kryesore që e bën të lumtur një trajner është marrja e rezultatit. Por sidomos nëse do që të vijnë rezultate të mira njëra pas tjetrës, është e rëndesishme të kesh edhe performancë të mirë. Nesër do të jetë një ndeshje e vështirë. Nëse do humbasim me Ukrainën, do mërzitem. Por nëse fitojmë, do të jem shumë i lumtur. Është i rëndësishëm rezultati, sepse duhet gjithmonë të bëjmë më të mirën në fushë. Po flasim për ekipin kombëtar, luajmë për Kombin. Kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë. Nëse fitojmë, do të jetë shumë mirë. Fokusi ynë është të shohim nesër edhe disa lojtarë të rinj që s’kanë pasur shumë mundësi në ndeshjet e kaluara.

The post Silvinjo: Është e vështirë të përgatisësh një ndeshje pas takimit me Poloninë, por… appeared first on RTSH.

Lini një koment