Konventa e Lansingut: Demokratët folën për bashkim, tani duhet ta provojnë

Konventa e Lansingut: Demokratët folën për bashkim, tani duhet ta provojnë. Konventa e demokratëve të Michiganit, e mbajtur të shtunën në Lansing, duhej të ishte formalisht një konventë nominimi. Ajo zyrtarizoi Winnie Brinks si kandidate për zëvendësguvernatore përkrah Jocelyn Benson, Garlin Gilchrist për Secretary of State, Eli Savit për Attorney General dhe kandidatët e tjerë për postet shtetërore. Politikisht, megjithatë, ajo kishte një detyrë shumë më të vështirë: të tregonte nëse një Parti Demokratike që doli e përçarë nga primaret e gushtit është në gjendje të hyjë si një trup i vetëm në zgjedhjet e nëntorit.
Në këtë kuptim, konventa kaloi provimin e parë. Nuk pati shpërthimet dhe kaosin që shumë njerëz prisnin. Michigan Public e përshkroi si një konventë “larg dramës” dhe kryesisht rutinë. Drejtuesit e partisë folën pothuajse të gjithë për të njëjtën gjë: koston e jetesës, pagat, kujdesin shëndetësor, ekonominë dhe kundërshtimin ndaj politikave të administratës Trump. Kryetari Curtis Hertel tha se demokratët “duhet të jenë të bashkuar”, ndërsa Benson këmbënguli se kandidatët demokratë “po këndojnë të njëjtën këngë”.
Por këtu fillon pjesa më interesante e historisë. Sepse partitë politike nuk bashkohen duke përsëritur fjalën “bashkim”.
Jocelyn Benson dhe Abdul El-Sayed, dy kandidatët më të rëndësishëm të demokratëve në Michigan këtë nëntor, folën në të njëjtën konventë, por nuk dolën së bashku në skenë. Madje, sipas Bridge Michigan, asnjëri nuk e përmendi tjetrin me emër në fjalimin e vet. Në një konventë ku fjala kryesore ishte “unity”, kjo mungesë ishte ndoshta më domethënëse se shumë prej fjalimeve që u mbajtën.
Edhe më e rëndë ishte mungesa e Attorney General Dana Nessel. Ajo kishte njoftuar më parë se nuk do të merrte pjesë sepse nuk ndihej e sigurt dhe druhej se do të përballej me ngacmime dhe armiqësi për shkak të qëndrimeve të saj mbi Izraelin. Edhe guvernatorja Gretchen Whitmer dhe disa anëtarë demokratë të Kongresit munguan dukshëm. Këto nuk janë hollësi protokollare. Ato tregojnë se partia ende nuk është atje ku dëshiron të duket se është.
Megjithatë, pikërisht këtu ndodhi ndoshta zhvillimi më i rëndësishëm i konventës.
Abdul El-Sayed shkoi para Jewish Democratic Caucus dhe kërkoi falje për mënyrën se si ishte shprehur pas sulmit të marsit ndaj Temple Israel në West Bloomfield. Ai pranoi se përpjekja e tij e atëhershme për të shpjeguar kontekstin e sulmit kishte qenë e gabuar për atë moment: “nuk ishte koha për kontekst”, tha ai, duke shtuar se nuk duhet shkelur mbi dhimbjen e njerëzve.
Ky është një hap shumë më i rëndësishëm drejt bashkimit sesa dhjetë fjalime për unitet.
El-Sayed nuk hoqi dorë nga qëndrimi i tij për Palestinën. Ai vazhdon të kundërshtojë politikën izraelite në Gaza dhe mbështetjen ushtarake amerikane për të. Por paralelisht deklaroi se siguria dhe dinjiteti i fëmijëve hebrenj janë për të po aq të rëndësishme sa siguria dhe dinjiteti i fëmijëve të tij. Sot pasdite ai është planifikuar të marrë pjesë bashkë me Benson, Gilchrist, Savit, Jeremy Moss dhe të tjerë në aktivitetin “Summer Simcha” të Michigan Democratic Jewish Caucus, ku do të nderohet edhe Dana Nessel. Nëse ky dialog vazhdon, atëherë po flasim për politikë reale të bashkimit dhe jo për slogan.
Por përgjegjësia për bashkimin nuk është vetëm e Abdul El-Sayed.
Kjo është një pikë që një pjesë e establishmentit demokratik duhet ta kuptojë. Primaret kanë mbaruar. El-Sayed nuk është më kandidati i një fraksioni. Ai është kandidati demokrat për Senatin e Shteteve të Bashkuara sepse votuesit demokratë të Michiganit zgjodhën atë. Mallory McMorrow e kuptoi menjëherë këtë dhe e mbështeti pas zgjedhjeve. Haley Stevens gjithashtu deklaroi se do ta mbështesë dhe është shfaqur me të në aktivitetet e bashkimit. Edhe Black Caucus i Partisë Demokratike, megjithëse drejtuesi i tij kishte mbështetur Stevens, deklaroi se demokratët nuk mund të kalojnë muajt deri në nëntor “duke luftuar primaret e djeshme ndërsa republikanët organizohen për zgjedhjet e nesërme”.
Kjo është pikërisht çështja.
Bashkimi nuk mund të nënkuptojë që fituesi i primareve duhet të ndryshojë gjithçka që beson, ndërsa humbësit rezervojnë të drejtën të qëndrojnë me duar në xhepa. Por as fitorja e primareve nuk është një çek i bardhë për fituesin. Në një shtet si Michigan, kandidati demokrat për Senatin nuk mund të fitojë vetëm me të rinjtë progresistë, vetëm me votuesit arabë dhe myslimanë apo vetëm me qarqet universitare. El-Sayed pati vështirësi në primare në Detroit, Flint, Muskegon e Saginaw dhe në qarqet me më pak të diplomuar universitarë. Koalicioni që fitoi primaret nuk është automatikisht koalicioni që fiton Michiganin në nëntor.
E njëjta gjë vlen edhe në kahun tjetër. Demokratët tradicionalë, votuesit hebrenj, votuesit e moderuar dhe drejtuesit e establishmentit nuk mund të sillen sikur zgjedhësit u kanë borxh një rezultat tjetër nga ai që dhanë më 4 gusht. Partia po ndryshon. Fitorja e El-Sayed dhe mobilizimi i jashtëzakonshëm politik i komuniteteve arabe dhe myslimane tregojnë se një grup votuesish që për vite konsiderohej pothuajse automatikisht pjesë e koalicionit demokrat, sot kërkon të ndikojë edhe në drejtimin e tij. The Guardian e vendos pikërisht në këtë kuadër ngritjen e lëvizjes që doli nga vota “uncommitted” e vitit 2024 dhe sukseset e saj elektorale në Michigan.
Prandaj problemi i demokratëve të Michiganit nuk është thjesht një luftë midis “progresistëve” dhe “të moderuarve”. Është një negociatë shumë më e madhe për atë se çfarë do të jetë koalicioni demokrat i së ardhmes.
Në këtë drejtim, një nga momentet më pak të dobishme të konventës ishte deklarata e Portia Roberson, përfaqësuese e Michiganit në DNC, e cila u tha të pakënaqurve, në thelb, të “dalin nga ndjenjat e tyre”. Mund të marrë duartrokitje në sallë, por nuk është kështu si ndërtohet një koalicion. Njerëzit që ndihen të lënduar, të përjashtuar apo të frikësuar nuk afrohen duke u thënë: kapërcejeni. Ata afrohen duke u dëgjuar.
Kjo vlen për hebrenjtë demokratë që ndihen të kërcënuar nga antisemitizmi. Vlen për arabët dhe myslimanët që prej vitesh mendojnë se Washingtoni nuk ua dëgjon zërin për Palestinën. Vlen për votuesit me ngjyrë që duan të dinë nëse kandidatët e rinj progresistë do të merren edhe me lagjet dhe problemet e tyre. Dhe vlen për votuesin e zakonshëm të Michiganit, i cili në fund të ditës është shumë më i interesuar për çmimin e ushqimeve, sigurimin shëndetësor, punën dhe rrogën sesa për debatet e pafundme të Twitter-it.
Këtu konventa e Lansingut bëri zgjedhjen e duhur. Ajo tentoi ta kthente debatin te Michigan-i. Benson foli për uljen e kostove dhe rritjen e ekonomisë. Brinks për rritjen e pagave. Savit për mbrojtjen e punëtorëve dhe konsumatorëve. El-Sayed për shëndetësinë. Dhe partia ka nisur prej javësh një organizim të përbashkët “One Team Michigan”, me zyra, organizatorë dhe fushatë derë më derë në të gjithë shtetin.
Republikanët e kanë kuptuar shumë mirë dobësinë që duan të shfrytëzojnë. Mike Rogers po përpiqet hapur të tërheqë demokratët e zhgënjyer nga El-Sayed, ndërsa Partia Republikane e Michiganit e përshkroi konventën e së shtunës si një shfaqje të “parehatisë dhe shqetësimit” të demokratëve. Kjo është politikisht e kuptueshme: sa më gjatë demokratët të flasin për njëri-tjetrin, aq më pak duhet të flasë Rogers për veten dhe programin e tij.
Dhe zgjedhjet nuk janë të fituara. Sondazhi më i fundit EPIC-MRA, i realizuar më 22–28 gusht, e vendos El-Sayed 47 me 43 për qind përpara Rogers dhe Benson 45 me 41 për qind përpara John James. Por marzhi i gabimit është rreth katër pikë dhe 10 për qind e votuesve në garën e Senatit dhe 14 për qind në atë për guvernatorin mbeten të pavendosur. Pra, avantazhi është real, por komoditeti do të ishte marrëzi.
Konventa e Lansingut, pra, nuk e bashkoi Partinë Demokratike të Michiganit. Por ndoshta bëri diçka më të dobishme: tregoi se bashkimi është ende i mundur.
Tani duhet të shohim fotografitë që munguan të shtunën. Benson dhe El-Sayed në të njëjtën skenë. El-Sayed dhe drejtuesit hebrenj duke folur jo vetëm kur kamerat janë ndezur. Nessel e sigurt dhe e mirëpritur në aktivitetet e partisë. Demokratët progresistë duke dënuar pa ekuivok antisemitizmin, demokratët tradicionalë duke dënuar po aq qartë islamofobinë dhe të dy krahët duke pranuar se mosmarrëveshja për Izraelin dhe Palestinën nuk mund të kthehet në një test besnikërie për të qenë demokrat.
Sepse një “big tent” nuk është një tendë ku të gjithë mendojnë njësoj. Është një tendë ku njerëzit që mendojnë ndryshe pranojnë të qëndrojnë së bashku.
Demokratët e Michiganit e kaluan të shtunën pa e grisur tendën. Tani kanë pak më shumë se dy muaj për të provuar se dinë edhe ta mbajnë në këmbë.