Monday, 21 September 2026
54°F Detroit
BallinaOpinion160 mijë në fjalime, 26 mijë në Census

160 mijë në fjalime, 26 mijë në Census

Nga THOMA GËLLÇI

Një analizë e publikuar më 28 gusht nga dua.com, bazuar në të dhënat e American Community Survey 2020–2024, jep një shifër që duhet të tërheqë vëmendjen e komunitetit shqiptar në Michigan. Sipas saj, në gjithë shtetin rezultojnë rreth 26,600 persona që kanë deklaruar prejardhje shqiptare, ndërsa rreth 24,600 prej tyre jetojnë në Metro Detroit.

Shifra është shumë më e ulët nga ato që përdoren zakonisht brenda komunitetit. Albanian Community of Michigan, për shembull, ka folur për më shumë se 160 mijë shqiptaro-amerikanë në Michigan. Mund të diskutohet gjatë se cila shifër është më afër realitetit, por për institucionet amerikane rëndësi ka ajo që del nga statistikat zyrtare.

Një nga arsyet e kësaj diference mund të jetë mënyra se si shqiptarët plotësojnë formularët e Censusit dhe anketat e American Community Survey. Shumë prej tyre shënojnë vetëm “White”. Kjo nuk është e gabuar, por “White” nuk tregon se personi është shqiptar. Në të njëjtën kategori hyjnë shumë prejardhje të ndryshme evropiane. Kur formulari kërkon ancestry, ethnic origin apo origjinën e hollësishme, duhet të shkruhet edhe Albanian.

Kjo mund të duket si një hollësi e vogël administrative, por nuk është e tillë. Shteti amerikan nuk përcakton madhësinë e komunitetit shqiptar duke numëruar anëtarët e kishave, xhamive, teqeve apo shoqatave. As nuk mbështetet te shifrat që organizatat tona vendosin në faqet e tyre. Institucionet mbështeten te Census Bureau dhe te statistikat që prodhohen prej tij.

Këto statistika përdoren për të kuptuar përbërjen e komuniteteve, gjuhët që fliten, moshën, arsimin, të ardhurat, punësimin dhe shumë tregues të tjerë. Mbi këtë bazë planifikohen shërbime publike, programe sociale, programe arsimore, ndihma për të moshuarit, shërbime për emigrantët, përkthime, informim publik dhe politika lokale.

Jo çdo fond shtetëror apo federal ndahet sipas numrit të shqiptarëve, dhe do të ishte gabim ta paraqisnim kështu. Por një komunitet që dokumentohet mirë në statistikat zyrtare ka shumë më tepër mundësi të provojë madhësinë dhe nevojat e tij kur organizatat lokale, bashkitë, qarqet apo institucionet aplikojnë për grante dhe programe të caktuara.

Edhe organizatat shqiptare fitojnë një argument më të fortë. Kur kërkojnë fonde për programe kulturore, për mësimin e gjuhës shqipe, për shërbime për të moshuarit, për integrimin e emigrantëve apo për aktivitete komunitare, është krejt tjetër të thuash se përfaqëson një komunitet prej disa mijëra vetash dhe krejt tjetër ta mbështesësh kërkesën me një statistikë zyrtare që tregon një komunitet shumë më të madh.

E njëjta gjë vlen edhe për bizneset dhe zhvillimin ekonomik. Një komunitet i madh, i dokumentuar dhe i përqendruar në disa qytete, përbën një treg. Bankat, bizneset, institucionet financiare, organizatat jofitimprurëse dhe autoritetet lokale i përdorin të dhënat demografike kur vendosin se ku duhet të ofrojnë shërbime, ku duhet të bëjnë fushata informimi dhe me cilat komunitete duhet të krijojnë marrëdhënie.

Sipas analizës së dua.com, Macomb County ka rreth 12,164 banorë me prejardhje shqiptare, Oakland County rreth 6,729 dhe Wayne County rreth 5,024. Sterling Heights rezulton me rreth 3,804 shqiptarë. Nëse numri real është shumë më i madh, atëherë një pjesë e madhe e komunitetit tonë sot nuk po duket në statistikat zyrtare.

Kjo ka rëndësi edhe për politikën. Politikanët i studiojnë me kujdes të dhënat demografike të zonave ku kandidojnë. Partitë duan të dinë se cilat komunitete jetojnë në një distrikt, sa të mëdha janë ato dhe sa peshë mund të kenë në zgjedhje. Një komunitet që figuron me 3,000 njerëz tërheq një lloj vëmendjeje; një komunitet që dokumentohet me 20,000 apo 30,000 njerëz tërheq një tjetër.

Sigurisht, numri i banorëve nuk është i njëjtë me numrin e votuesve. Por politika fillon duke parë demografinë, pastaj regjistrimin e votuesve dhe pjesëmarrjen në zgjedhje. Sa më qartë të duket një komunitet në statistikat publike, aq më e vështirë është që ai të anashkalohet nga kandidatët, partitë dhe administratat lokale.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme në Michigan, ku shqiptarët janë përqendruar në zona si Macomb, Oakland dhe Wayne. Në disa qytete dhe distrikte diferencat zgjedhore janë relativisht të vogla. Një komunitet shqiptar i dokumentuar mirë, i regjistruar për të votuar dhe aktiv në zgjedhje mund të ketë një peshë politike shumë më të madhe nga ajo që ka sot.

Prandaj regjistrimi si shqiptar nuk duhet parë thjesht si një çështje identiteti ose krenarie kombëtare. Ai ka një anë shumë konkrete: statistikat ndikojnë në mënyrën se si institucionet e shohin komunitetin, si planifikojnë programe, si orientohen organizatat që japin fonde dhe sa interes tregojnë politikanët për të.

Kishat, xhamitë, teqetë, shoqatat dhe mediat shqiptare mund të bëjnë një punë të dobishme para Censusit të ardhshëm duke shpjeguar saktë mënyrën e plotësimit të formularëve. Nuk është fjala që shqiptari të mos shënojë “White” kur formulari e kërkon. Është fjala që, kur kërkohet origjina ose prejardhja, të mos harrojë të shkruajë edhe Albanian.

Nëse në Michigan ka vërtet shumë më tepër se 26 mijë shqiptarë, kjo duhet të dalë edhe në statistikat amerikane. Përndryshe do të vazhdojmë të kemi dy realitete: një komunitet të madh sipas nesh dhe një komunitet shumë më të vogël sipas dokumenteve që përdor shteti.

Në fund, për institucionet, programet dhe politikën amerikane, shifra që ka më shumë peshë nuk është ajo që themi ne në aktivitetet tona. Është ajo që kemi shkruar vetë në Census.

Lini një koment