Tedi Papavrami në filmin “Harku e Peneli” sjell dialogun mes muzikës dhe artit Zen
Dokumentari francez “The Bow and the Brush” (“L’Archet et le Pinceau”), me regji të franko-zviceranes Raphaëlle Régnier, pati mbrëmë premierën botërore në edicionin e 24-t të “Tirana International Film Festival” (TIFF).
Filmi solli një ndërthurje të veçantë mes muzikës perëndimore dhe artit Zen japonez, përmes violinistit shqiptar Tedi Papavrami dhe mjeshtrit japonez të kaligrafisë Kanshô Miyashita.
Në këtë premierë botërore të filmit, ishte i pranishëm vetë Tedi Papavrami së bashku me bashkëshorten e tij, Maki Okada, pianiste japoneze. Prania e tyre i dha një rëndësi të veçantë këtij prezantimi dhe e bëri evenimentin edhe më interesant për të pranishmit në premierë.
Në një nga momentet më të veçanta të dokumentarit, Miyashita krijoi kaligrafi japoneze ndërsa Papavrami interpretoi “Chaconne” të Johann Sebastian Bach.
Vetë titulli “Harku dhe Peneli” i referohet dialogut artistik mes lëvizjes së harkut të violinës dhe lëvizjes së penelit të kaligrafit. Dokumentari ndoqi nga afër procesin krijues dhe bashkëpunimin mes dy artistëve, duke paraqitur jo vetëm rezultatin përfundimtar, por edhe përgatitjen dhe momentet e krijimit.
Filmi u përfshi në programin “Special Screenings” të TIFF-it dhe prezantohet në një edicion i cili sjell në Tiranë 229 filma nga 71 vende të ndryshme.