Wednesday, 23 September 2026
54°F Detroit
BallinaArteAkademia e Shkencave, në fokus gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale

Akademia e Shkencave, në fokus gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale

Gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale dhe mënyrat e shfaqjes e të normalizimit të saj në komunikimin digjital ishin në fokus të një ligjërate të zhvilluar sot në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Ligjërata me temë “Analiza e diskursit. Gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale” u mbajt nga studiuesja dr. Rafaela Marteta dhe u organizua nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Departamenti i Leksikologjisë, Terminologjisë dhe i Gjuhësisë së Zbatuar.

Në prezantimin e saj, Marteta analizoi praninë e diskursit armiqësor, veçanërisht në seksionet e komenteve të mediave sociale me fokus politik. Për analizën ajo u mbështet në paradigmën e kornizimit të R. Entman, të ndërthurur me qasjet e analizës kritike të diskursit të Ruth Wodak dhe Teun van Dijk.

Sipas studimit, gjuha e urrejtjes në hapësirat digjitale lidhet me kontekste sociale, kulturore dhe ideologjike, ndërsa komunikimi online mund të krijojë forma të legjitimimit dhe normalizimit të diskursit armiqësor.

Në fjalën e hapjes, prof. dr. Tomorr Plangarica vlerësoi trajtimin e kësaj problematike si të rëndësishme për studimet e gjuhës shqipe, duke theksuar nevojën për qasje të reja ndaj komunikimit në hapësirat digjitale.

Marteta argumentoi gjithashtu nevojën për një analizë të ndjeshme ndaj kontekstit, me qëllim kuptimin e mekanizmave që prodhojnë dhe legjitimojnë gjuhën e urrejtjes, si dhe hartimin e nismave parandaluese dhe ndërhyrëse më efektive.

Veprimtaria u ndoq nga studiues, pedagogë dhe studentë, të cilët diskutuan mbi sfidat e komunikimit politik në rrjetet sociale dhe ndikimin e gjuhës në formësimin e perceptimeve kolektive.

Lini një koment