Artistja që ndërtoi Guggenheim-in rikthehet në qendër të vëmendjes: Hilla Rebay në Independent 20th Century

Hilla Rebay, bashkëthemeluesja dhe drejtoresha e parë e Muzeut Guggenheim në Nju Jork, ka mbetur në histori si forca lëvizëse pas tij — por karriera e saj si artiste është lënë në harresë. Galeria Weinstein e Los Anxhelosit ia kthen tashmë vëmendjen që i takon në panairin Independent 20th Century, i cili mbahet më 24–27 shtator 2026 te Sotheby’s New York, The Breuer, në 945 Madison Avenue të Nju Jorkut.
Në ekspozim, pikturat dhe kolazhet e Rebay-t dialogojnë me veprat e artistëve që ajo mbështeti gjatë gjithë jetës — László Moholy-Nagy, Alice Trumbull Mason, Paul Klee e Rudolf Bauer. Disa prej tyre ajo i dërgoi në koleksionin e Guggenheim-it, ndërsa të tjera i dhuroi muzeut pas vdekjes së saj në 1967. Siç thotë Kendy Genovese, drejtuese dhe kuratore e Galerisë Weinstein: “She never stopped being an artist… In fact, creating the museum is probably the biggest collage she ever made.”
Interesi për veprën e saj reflektohet edhe në çmime: veprat e saj në panair kushtojnë nga 35,000 deri në 850,000 dollarë — kufiri i sipërm tejkalon rekordin e saj në ankand, 182,700 dollarë për veprën “Con Fuoco” në vitin 2024, një shenjë e qartë e interesit në rritje për modernizmin e shekullit XX.
E lindur në Strasburg, Rebay në moshën 19 vjeç u regjistrua në Académie Julian në Paris. Iu bashkua lëvizjes mistike të Teozofisë, në Zyrih (1915) njohu Jean Arp-in dhe u ndikua thellë nga Kandinsky dhe libri i tij “Concerning the Spiritual in Art”; me Otto Nebel formoi grupin Die Krater. Në 1927 u zhvendos në Nju Jork, ku përmes një portreti me porosi njohu Solomon Guggenheim-in, të cilin e këshilloi të blinte rreth 700 vepra — nga Kandinsky, Moholy-Nagy, Chagall, Calder e Delaunay — dhe angazhoi Frank Lloyd Wright-in për projektimin e ndërtesës së muzeut, e hapur në 1959.
Burimi: Artnet News