Saturday, 26 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit rikthehet në Tiranë më 3 tetor, për herë të parë edhe në Prishtinë

Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit rikthehet në Tiranë më 3 tetor, për herë të parë edhe në Prishtinë

Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit Tiranë (IDFT) rikthehet nga 3 deri më 21 tetor, duke sjellë në kryeqytet një program me shfaqje të kërcimit bashkëkohor dhe, për herë të parë, duke u shtrirë edhe në Prishtinë.

Edicioni i pestë i festivalit do të zhvillohet në nëntë hapësira të ndryshme në Tiranë, duke u ofruar artistëve mundësi për krijim dhe bashkëpunim përtej kufijve, ndërsa publikut mundësi për ta përjetuar artin bashkëkohor nga afër.

Programi i këtij viti përfshin 17 shfaqje, me pjesëmarrjen e trupave dhe koreografëve nga Franca, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Greqia dhe Spanja, krahas artistëve shqiptarë.

Gjatë tri javëve të festivalit do të prezantohen kompani dhe koreografë evropianë e shqiptarë, si dhe performanca të reja që sjellin në vëmendje koreografët e brezit të ardhshëm.

Festivali mbështetet edhe këtë vit nga Bashkimi Evropian, në kuadër të mbështetjes për nismat kulturore dhe bashkëpunimin artistik.

Për herë të parë, programi i IDFT-së do të shtrihet edhe në Prishtinë, duke zgjeruar hapësirën e bashkëpunimit kulturor dhe artistik mes dy kryeqyteteve.

Programi i plotë i edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit Tiranë është i publikuar në faqen zyrtare të festivalit, idft.al.

Lini një koment