Baleti i Shqipërisë dhe ai i Kosovës ndajnë për herë të parë të njëjtën skenë
Trupat e Baletit të Shqipërisë dhe Baletit të Kosovës do të ndajnë për herë të parë të njëjtën skenë, në kuadër të edicionit të 5-të të Festivalit Ndërkombëtar të Vallëzimit dhe Teatrit Fizik (IDFT).
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se edicioni i këtij viti do të hapet me veprën “Neighbours / from Motherland”, me koreografi nga Brigel Gjoka dhe Rauf “Rubberlegz” Yasit.
Sipas ministrit, vepra do të prezantohet si një premierë botërore, duke trajtuar përmes kërcimit temat e rrënjëve të përbashkëta dhe identitetit, ndërsa bashkimi i dy trupave të baletit në të njëjtën skenë përbën një moment të veçantë kulturor.
Shfaqja do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë më 3 dhe 4 tetor, ndërsa më 7 tetor do të prezantohet në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Ministri Gonxhja e cilësoi këtë bashkëpunim si një moment historik kulturor, përmes një vepre që sjell në skenë rrënjët e përbashkëta dhe identitetin.