Shfaqet filmi “Delegacioni” i Bujar Alimanit në Reims të Francës
Në kinemanë e qytetit të Reimsit, në Francë, mbrëmjen e djeshme u shfaq filmi shqiptar “Delegacioni” (Le Dernier Prisonnier), me regji të Bujar Alimanit.
Aktiviteti u bë i mundur falë bashkëpunimit me Përfaqësinë e Komisionit Evropian në Francë dhe shoqatën “7ème Œil”, në prani të Ambasadorit të Shqipërisë në Francë, Dritan Tola, të ambasadores së Malit të Zi në Francë, Dubravka Lalović, si dhe të Jessica Larsson, zëvendësdrejtuese e Përfaqësisë së Komisionit Evropian në Francë.
Filmi i Bujar Alimanit sjell një histori prekëse, ngjarjet e së cilës zhvillohen në Shqipërinë e tetorit të vitit 1990, në muzgun e diktaturës komuniste dhe në prag të ndryshimeve demokratike. Në vitin 1990, një delegacion evropian mbërrin në Tiranë për të vëzhguar reformat e ndërmarra nga regjimi komunist. Në të njëjtën kohë, një zyrtar i qeverisë dërgohet në një burg të largët me misionin për të sjellë në kryeqytet një disident të rëndësishëm.
Filmi, i realizuar në vitin 2018, me skenar të Artan Minarollit, u vlerësua me çmime në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë dhe përfaqësoi Shqipërinë në garën për çmimet Oscar 2020.
Në këtë produksion interpretojnë aktorë të njohur shqiptarë dhe të huaj, ndër të cilët Viktor Zhusti në rolin e Leos, Xhevdet Ferri në rolin e Asllanit, Ndriçim Xhepa në rolin e Spiros, Richard Sammel në rolin e kreut të delegacionit, Kasem Hoxha në rolin e shoferit dhe Tristan Halilaj në rolin e mekanikut, si dhe Rovena Lule, Bislim Muçaj, Mehmet Xhelili, Armando Dauti, Jorgaq Tushe, Lulzim Zeqja etj.