Friday, 2 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›“Tirana Grand Prix”, tri ditë me makina sportive, garë dhe spektakël në kryeqytet

“Tirana Grand Prix”, tri ditë me makina sportive, garë dhe spektakël në kryeqytet

Tirana mirëpret edicionin e tretë të “Tirana Grand Prix”, një aktivitet i dedikuar automobilizmit, i cili nisi sot e do të zgjasë deri më 4 tetor.

Aktiviteti rikthen në Tiranë automjetet sportive dhe garat automobilistike, duke sjellë një tjetër fundjavë të përqendruar te shpejtësia, adrenalina dhe pasioni për automobilizmin.

Gjatë tri ditëve të aktivitetit, kryeqyteti do të presë pjesëmarrës dhe të apasionuar pas motorsportit, ndërsa automjetet do të jenë një nga atraksionet kryesore për publikun.

Në ceremoninë e hapjes së aktivitetit drejtori i përgjithshëm i DPSHTRR, Kreshnik Bajraktari, pasi falenderoi pjesëmarrësit dhe sponsorët bëri të ditur se në këtë edicion marrin pjesë 42 automjetet të veçanta të ardhura nga Shqipëria, Italia dhe vendet e rajonit. Aktiviteti është konceptuar si një festë, ku nën ritmet e muzikës, sillet energji dhe atmosferë perfekte për momente plot emocion dhe spektakël! Sigurisht në ditët e këtij aktiviteti nuk do të mungojë as adrenalina që jep një garë me makina.

“Tirana Grand Prix” zhvillohet për të tretin vit, duke vijuar traditën e aktiviteteve automobilistike në kryeqytet dhe duke afruar publikun me botën e motorsportit.

Ndërkohë sheshi pranë Pallatit të Kongresve në Tiranë u kthye në një pikë tërheqëse për të apasionuarit pas automobilizmit dhe turistët, me ekspozimin e automjeteve historike në kuadër të aktivitetit “Gran Tour Albania”.

Makinat e rralla dhe modelet klasike u vendosën në shesh, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve, turistëve dhe admiruesve të automobilizmit.

Lini një koment