Monday, 5 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Ekspozita fotografike sjell në Tiranë kinemanë italiane të shekullit XX

Ekspozita fotografike sjell në Tiranë kinemanë italiane të shekullit XX

Prej sot e deri më 23 tetor, në hapësirën përpara Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit kalimtarët do të mund të shohin ekspozitën fotografike “L’Italia che sognavamo”, me foto të shkëputura nga kinematografia italiane e shekullit të 20-të.

Ekspozita vjen si një bashkëpunim i Institutit Italian të Kulturës, Ambasadës Italiane në Tiranë, bashkisë së Çezenës dhe Bibliotekës Malatestiana, me kuratore Brunella Garavini (Biblioteka Malatestiana e Çezenës) dhe Elton Koritari (EjAlbum).

“Kinemaja italiane e shekullit XX nuk është thjesht një koleksion filmash: është ushtrimi më i madh i vështrimit që një vend ka bërë ndonjëherë ndaj vetvetes. Nga rruga e Neorealizmit, tek ëndrrat e Fellini-t, ky është një udhëtim në të cilin objektivi ndryshon dy herë natyrën e tij”, shkruan kuratori Elton Koritari.

Ai shpjegon se ajo që ekspozohet është pikërisht Italia që shqiptarët vëzhgonin, pothuajse të verbuar, gjatë errësirës së diktaturës dhe, në të njëjtën kohë, vetë mekanizmi që prodhonte atë verbim.

Për breza të tërë shqiptarësh, kinemaja dhe televizioni italian kanë qenë një dritare e ndaluar me pamje nga bregu tjetër i Adriatikut. Shtatëdhjetë kilometra det dhe një sinjal televiziv i kapur fshehurazi ishin gjithçka që ndante dhe bashkonte dy popujt. Italia, përpara se të ishte një destinacion, ka qenë një imazh: i ndritshëm, i dëshiruar, i ëndërruar.

Fotografitë në ekspozitë e dëshmojnë transformimin e shoqërisë italiane, jo vetëm parë mbi celuloid, por edhe nga prapaskenat.

Lini një koment