TIFF në shortlistën e PRIX VIMEO 2027 për të tretin vit radhazi
– Tirana International Film Festival (TIFF) është përfshirë në PRIX VIMEO Shortlist 2027, mes 31 festivaleve kualifikuese për European Film Awards, duke shënuar vitin e tretë radhazi që fituesi i çmimit Best European Short Film në festivalin e Tiranës arrin në këtë shortlist.
Për edicionin e vitit 2026, çmimi Best European Short Film – Eligible for European Film Awards 2026 iu dha filmit “Nobody Said Anything”, me regji të Tamara Todorović, një bashkëprodhim i Serbisë, Francës, Sllovenisë dhe Kroacisë, me kohëzgjatje 15 minuta. Filmi ishte pjesë e programit të TIFF të filmave të shkurtër të pranueshëm për European Film Awards.
Juria e TIFF 2026, e përbërë nga Hoda Taheri, John Canciani dhe Nikola Majdak, e vlerësoi filmin për ndërtimin mjeshtëror të tensionit dhe portretizimin e hollë të mosbesimit dhe humbjes graduale të solidaritetit.
“Nobody Said Anything” ndjek historinë e Katarinës, e cila thirret në shtëpinë e shoqes së vajzës së saj për t’u përballur me pasojat e një loje në dukje të pafajshme, e cila ka dalë jashtë kontrollit.
Filmi i Tamara Todorović ka pasur një rrugëtim të rëndësishëm ndërkombëtar edhe përpara TIFF-it. Ai ishte pjesë e konkurrimit zyrtar të filmave të shkurtër në Festivalin e Kanës 2026, i përzgjedhur mes vetëm 10 filmave nga mijëra aplikime.
Për TIFF-in, përfshirja për të tretin vit radhazi në PRIX VIMEO Shortlist përbën një tjetër vlerësim të rëndësishëm të pozicionit të festivalit shqiptar në skenën evropiane të filmit të shkurtër.
“Urime stafit dhe gjithë ekipit!”, shkruan TIFF në njoftimin e tij për këtë arritje.