Fondacioni Zaha Hadid rihap ish-selën e arkitektes në Londër si hapësirë publike arti
Fondacioni Zaha Hadid po rihap ish-selën e arkitektes legjendare në adresën 10 Bowling Green Lane në Clerkenwell të Londrës si një hapësirë publike arti, njofton ARTnews. Ndërtesa, dikur seli e studios së saj, do të presë publikun me ekspozita, biseda, punëtori dhe evente kulturore, ndërsa ekspozita përuruese titullohet “Zaha Hadid: Architecture of Performance”.
Historia e ndërtesës është e lidhur pazgjidhshmërisht me jetën e Hadid: arkitektja me origjinë irakiane mori me qira një klasë të ish-shkollës viktoriane në vitin 1983 dhe gradualisht e mori të gjithë ndërtesën, ndërsa studio e saj rritej. Ndërtesa e mbrojtur (Grade II-listed) shërbeu si seli e Zaha Hadid Architects për gati katër dekada, derisa studioja u zhvendos në Goswell Road pas pandemisë.
Rihapja drejtohet nga drejtori i ri i fondacionit, Aric Chen, dhe vjen në vitin e dhjetëvjetorit të vdekjes së arkitektes (31 mars 2016). Sipas Dezeen, fondacioni po katalogon arkivën prej rreth 300,000 artikujsh të Hadid dhe planifikon që ndërtesa të funksionojë si galeri, qendër mësimi dhe kërkimi, krahas një hapësire të dytë në ish-Muzeun e Dizajnit në Shad Thames, të blerë nga vetë Hadid në vitin 2013.
Zaha Hadid, e njohur si “Mbretëresha e Kurbës”, mbetet e vetmja grua që ka fituar e vetme çmimin prestigjioz Pritzker për arkitekturë (2004). Veprat e saj ikonike — nga Qendra Heydar Aliyev në Baku te Muzeu MAXXI në Romë — e kanë bërë atë një nga figurat më me ndikim të arkitekturës bashkëkohore botërore.