Thursday, 8 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Ahmet Zogu, një nga figurat qendrore të politikës në Shqipëri gjatë shek. XX

Ahmet Zogu, një nga figurat qendrore të politikës në Shqipëri gjatë shek. XX

Më 8 tetor të 1895 lindi në Mat, Ahmet Zogu, deputet, ministër, kryeministër, president dhe më pas mbret i shqiptarëve.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se, që në moshën 17 vjeçare, Zogu mori pjesë në luftimet për mbrojtjen e Shkodrës nga malazezët dhe më pas u ftua në ceremoninë e shpalljes së Pavarësisë në 28 nëntor 1912. Ahmet Zogu ishte pjesëmarrës në momente të rëndësishme të historisë së vendit në ato vite, si Kongresi i Lushnjës, ndërsa gjatë rrugëtimit të tij politik u shpëtoi disa atentateve. Ai pati një rol kyç në shtetin shqiptar për gati 2 dekada në shtetformim dhe jetën politike në vend duke e shpallur në 1925 si Republikë e 3 vite më vonë në Mbretëri, që u ndërpre pas pushtimit të Italisë në 7 prill të 1939.

Ahmet Zogu u shpall Mbret i Shqiptarëve, nën emrin Zog i Parë, më 1 shtator të 1928, nga Asambleja Konstituente, duke shfaqur zyrtarisht dëshirën për një Shqipëri së bashku me vise të tjera të shkëputura më herët. Në fjalimin e mbajtur nga kryeministri Koço Kota në emër të Zogut të Parë, më 10 dhjetor të 1928 në Parlament, tregohet qartë qasja me botën perëndimore.

“Zakonet e çpifuna prej okupacioneve të ndryeshme të kohëve të kalueme qi nuk puqen me karakterin t’onë, do t’i çdukim sa më parë tue vue në vend zakonet e popujve të qytetnuem”, saktësohet në këtë fjalim të parë si Mbret të Shqiptarëve.

Me rastin e ditëlindjes së parë si mbret, në 1929, pati festime të mëdha që nisën herët në mëngjes dhe zgjatën gjatë të gjithë ditës.

“Më 8 tetor ditën e martë, gjithë dyqanet, ndërtetsat, zyrat, kafanet, restaurantet, do të jenë të mbyllura dhe këti bashkë me shtëpit do të stolisen me flamurin kombëtar. Më 8 tetor ora 6.30 do të hidhen 101 topa dhe në ora 7 nepër xhami dhe kisha do të bahen lutje për fatbardhësinë e kombit dhe jetë gjatësin e Mbretit”, shkruhej në nisje të programit festiv.

Më 8 prill 1939, me pushtimin e vendit nga Italia fashiste, mbreti Zog u largua nga Shqipëria duke përmbyllur kështu një epokë transformimesh dhe polemikash të mëdha.

Lini një koment