Ligjvënësi amerikan Moolenaar i kërkon Pentagonit të zgjerojë listën e universiteteve kineze të përjashtuara nga fondet kërkimore
Kongresmeni republikan John Moolenaar nga Michigan-i, kryetar i Komisionit të Posaçëm të Dhomës së Përfaqësuesve për Kinën, i ka kërkuar Departamentit të Mbrojtjes të shtojë 58 universitete kineze dhe 62 laboratorë teknologjikë kinezë në të ashtuquajturën “listën 1286”, siç njofton Reuters, e cila thotë se e ka parë kopjen e letrës.
Shumë prej institucioneve që propozohet të përfshihen merren me gjysmëpërçues, inteligjencë artificiale dhe informatikë kuantike — fusha që Uashingtoni i konsideron kritike për sigurinë kombëtare dhe për konkurrencën teknologjike me Kinën.
Departamenti i Mbrojtjes, të cilin presidenti Donald Trump e quan Departamenti i Luftës, e ka të ndaluar me ligj t’u japë fonde kërkimore subjekteve që bashkëpunojnë me universitetet kineze të përfshira në këtë listë; bashkëpunimi me to konsiderohet “rrezik përputhshmërie” që mund të vërë në rrezik fondet federale amerikane.
Në gusht, departamenti njoftoi se do të hetojë 30 universitete amerikane për bashkëpunim të mundshëm me institucione të listës 1286, duke shtuar presionin mbi kampuset universitare për të shkëputur lidhjet me Pekinin.
Mes shkollave që Moolenaar kërkon të përfshihen është Universiteti Tsinghua, një nga institucionet më prestigjioze të Kinës, që ka arsimuar elitën politike dhe të biznesit të vendit. Sipas Reuters, drejtuesit ekzekutivë të Nvidia-s, Apple dhe AMD shërbejnë në bordin këshillimor të shkollës së biznesit të Tsinghua-s.
Nvidia refuzoi të komentojë mbi letrën, ndërsa Tsinghua, Apple dhe AMD nuk iu përgjigjën kërkesës për koment të Reuters.