Saturday, 10 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Gonxhja pret Giulin, prezantohet projekti i Fondazione MAXXI për Galerinë e Arteve

Gonxhja pret Giulin, prezantohet projekti i Fondazione MAXXI për Galerinë e Arteve

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, priti në në një takim ministrin e Kulturës së Italisë, Alessandro Giuli, me të cilin diskutoi mbi forcimin e bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve dhe prezantimin e projektit të përgatitur nga Fondazione MAXXI për Galerinë Kombëtare të Arteve.

Në një postim në rrjetet sociale, Gonxhja bëri të ditur se takimi shënon një hap konkret në zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunimin me MAXXI, të nënshkruar në Romë gjatë takimit mes qeverive të Shqipërisë dhe Italisë.

Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin në fushën e arkivave dhe digjitalizimit, organizimin e ekspozitave të përbashkëta, programet e shkëmbimit, bashkëprodhimet audiovizuale dhe forcimin e rrjeteve muzeore.

Sipas Gonxhes, synimi është krijimi i më shumë mundësive për profesionistët e kulturës, shkëmbimi i përvojave dhe rritja e aksesit të publikut në artin dhe trashëgiminë kulturore të të dy vendeve.

“Shqipërinë dhe Italinë i lidh një miqësi e hershme, që pasurohet përmes njohjes së ndërsjellë dhe krijimtarisë”, theksoi Gonxhja, duke nënvizuar rëndësinë e projekteve konkrete dhe të lidhjeve më të ngushta mes njerëzve dhe institucioneve kulturore.

Bashkëpunimi me institucionet kulturore italiane synon të nxisë shkëmbimin artistik dhe të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e projekteve të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Italisë.

Lini një koment