Sunday, 18 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Politika›Padi federale në Michigan: oficerët e burgut xhiruan me kamera trupi një të burgosur gjatë lindjes

Padi federale në Michigan: oficerët e burgut xhiruan me kamera trupi një të burgosur gjatë lindjes

Padia e ngritur të hënën pretendon se Natalie Forrest u xhirua e zhveshur në spital gjatë lindjes së djalit të saj, megjithëse Departamenti i Korrektimeve ishte paralajmëruar për rrezikun e kamerave të trupit

Një padi federale e ngritur të hënën, më 12 tetor, pretendon se oficerë të Departamentit të Korrektimeve të Michiganit (MDOC), mes tyre të paktën një oficer burrë, xhiruan me kamerat e trupit një të burgosur të zhveshur gjatë lindjes, sipas raportimit të Detroit Free Press.

Sipas padisë, kamerat kapën pamje të Natalie Forrest dhe të djalit të saj të porsalindur gjatë dhe pas lindjes, më 6 mars 2025, në spitalin Trinity Health në Ann Arbor, përpara se Forrest të kthehej në burgun e grave Huron Valley, pranë Ypsilanti-t.

Padia, e depozituar në Gjykatën Federale të Distriktit në Detroit, thotë se ngjarja ndodhi pasi zyrtarët e MDOC-së ishin paralajmëruar, në shkurt 2025, se kamerat e trupit po kapnin pamje të të burgosurve të zhveshur edhe kur ishin në regjimin “pasiv”. Vetëm më 24 mars 2025 drejtoresha e MDOC-së, Heidi Washington, ndryshoi politikën, duke kërkuar që kamerat të kalojnë në regjimin “gjumë” gjatë kontrolleve trupore dhe në çdo rast kur të burgosurit janë të zhveshur.

Avokati i Detroitit Todd Flood, që përfaqëson familjen e Forrest, tha në një deklaratë se asnjë politikë dhe asnjë shqetësim sigurie nuk e justifikon që një roje burrë të shikojë një grua që lind e zhveshur në një shtrat spitali. Sipas tij, në kohën e lindjes zyrtarët e dinin se xhirimi i grave të zhveshura mund të përbënte vepër penale sipas ligjit të Michiganit për voajerizmin.

Shkelja e privatësisë u rëndua, sipas padisë, kur nëna e Forrest, e pranishme në lindje, kërkoi të fotografonte nipin e porsalindur dhe një oficer i tha se kjo do t’i kushtonte vajzës së saj edhe dy vjet burg të tjera.

Padia pretendon shkelje të të drejtave të privatësisë, federale dhe shtetërore, të Forrest dhe fëmijës së saj, shkaktim të qëllimshëm të shqetësimit emocional dhe shkelje të të drejtave të Amendamentit të Parë të nënës së saj, dhe kërkon dëmshpërblim në shumë të papërcaktuar. Një zëdhënëse e MDOC-së nuk iu përgjigj menjëherë të hënën një kërkese për koment, njofton Detroit Free Press.

Para ndryshimit të politikës, MDOC i kishte mbrojtur kamerat në regjimin “pasiv” gjatë kontrolleve, duke thënë se pamjet mblidheshin si të dhëna të papërpunuara që nuk mund të shiheshin pa u nxjerrë qëllimisht për një qëllim të lejuar brenda 18 orëve, pas të cilave fshiheshin automatikisht.

Forrest, e cila në kohën e lindjes vuante dënimin për një vepër droge pa dhunë, u lirua me kusht më 11 dhjetor 2025, sipas padisë. Burgu i vetëm për gra i shtetit ka qenë nën vëzhgim të shtuar kohët e fundit, pas një rritjeje të vdekjeve të papritura atje.

Lini një koment