Sunday, 18 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Politika›Skandal në faqen e fushatës së El-Sayed: transkripti i ndryshuar dukej sikur mbështeste sulmuesin e sinagogës, ish-kryetari demokrat kërkon hetim

Skandal në faqen e fushatës së El-Sayed: transkripti i ndryshuar dukej sikur mbështeste sulmuesin e sinagogës, ish-kryetari demokrat kërkon hetim

Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Michiganit, Lon Johnson, thotë se fushata e kandidatit për Senat e hoqi tekstin pas sinjalizimit të tij, por nuk ka dhënë ende asnjë përgjigje se kush e ndryshoi transkriptin e deklaratës për sulmin ndaj Temple Israel në West Bloomfield

Kandidati demokrat për Senatin amerikan në Michigan, Abdul El-Sayed, është përfshirë në një skandal të ri, pasi në faqen zyrtare të fushatës së tij u shfaq një rresht teksti që dukej sikur mbështeste shoferin që kishte sulmuar një sinagogë, ndërsa fushata, sipas New York Post, nuk ka marrë asnjë masë për të identifikuar personin që mund ta ketë ndryshuar tekstin.

Teksti problematik, siç raporton New York Post, ishte pjesë e transkriptit të reagimit të El-Sayed ndaj sulmit të marsit ndaj sinagogës Temple Israel dhe kopshtit të saj në West Bloomfield, ku një shofer kamioni përplasi automjetin ndaj kompleksit të sinagogës. Në deklaratën me video, El-Sayed kishte thënë se dhuna nuk mund të justifikohej kurrë: “Ayman Ghazali lëndoi njerëz. Nuk ka asnjë justifikim për atë që bëri. Ishte gabim dhe ai nuk duhej ta kishte bërë kurrë.” Por në versionin e shkruar në faqen e fushatës, sipas raportimit të The Post, mungonin fjalët “gabim” dhe “kurrë”, kështu që fjalia lexohej krejtësisht ndryshe: “Ishte dhe ai duhej ta kishte bërë.”

Rreshtin e ndryshuar e zbuloi ish-kryetari i Partisë Demokratike të Michiganit, Lon Johnson, ndërsa po shqyrtonte transkriptin e fjalimit. Johnson thotë se e njoftoi fushatën që në pranverë dhe teksti u hoq menjëherë, por që atëherë nuk ka marrë asnjë përgjigje se si përfundoi ai tekst aty dhe kush e vendosi. Ai e ngriti çështjen sërish të hënën, me një postim në rrjetin X, por thotë se ende nuk ka marrë asnjë përditësim.

“Është e qartë se ka pasur një gabim. I kujt ishte gabimi — këtë po pyes”, i tha Johnson gazetës New York Post. “Nëse ishte një gabim transkriptimi, le ta thonë këtë. A ishte një individ që e ndryshoi qëllimisht atë deklaratë? Atëherë, a u bë ndonjëherë përpjekje për ta gjetur se kush ishte dhe për ta pushuar nga puna? Këto janë pyetje të thjeshta”, shtoi ai. Johnson theksoi se nuk beson që vetë El-Sayed ta ketë shkruar atë rresht, por, nisur nga përvoja e tij në fushata politike, aksesi në materialet e brendshme të një fushate kontrollohet me shumë rreptësi.

E njëjta deklaratë, sipas New York Post, ishte edhe ajo ku El-Sayed u kritikua për shprehjen “njerëzit e lënduar lëndojnë njerëz” (hurt people hurt people), në vend të një dënimi të thjeshtë e të drejtpërdrejtë të sulmit; për mënyrën se si e formuloi atë koment, ai kërkoi ndjesë në gusht. Sulmuesi i sinagogës Temple Israel ishte Ayman Ghazali.

New York Post shkruan se iu drejtua fushatës së El-Sayed për të pyetur se si hyri teksti në fjalim dhe nëse është zhvilluar ndonjë hetim apo është marrë ndonjë masë disiplinore, por nuk mori përgjigje.

Johnson, ndërkohë, ka bashkëshkruar së fundmi me David Kramer një artikull opinioni në Detroit News, ku u bënte thirrje votuesve ta lënë fletën e votimit bosh, në vend që të votojnë për El-Sayed apo për republikanin Mike Rogers. Në atë shkrim ata cituan edhe refuzimin e El-Sayed për të thënë se Irani përbën kërcënim më të madh se Izraeli, si dhe refuzimin e tij në një aktivitet të shtatorit në Universitetin e Michiganit për të dënuar Gardën Revolucionare Islamike të Iranit — çështje që u rikthyen edhe në debatin e 9 tetorit me Rogers, ku El-Sayed e quajti pyetjen “hipotetike qesharake”. “El-Sayed kishte përgjegjësinë të bashkonte demokratët. Në vend të kësaj, ai i ka hedhur poshtë shqetësimet thelbësore si shpërqendrime dhe nuk ka dhënë qartësinë që shumë demokratë kërkonin”, shkruan Johnson dhe Kramer, sipas citimit të New York Post.

Lini një koment