Tuesday, 5 May 2026
54°F Detroit
BallinaArtePanairi i Parë i Librit-Mat, Behar Gjoka: Vendosi themelet për një traditë të re letrare në qytetin e Burrelit

Panairi i Parë i Librit-Mat, Behar Gjoka: Vendosi themelet për një traditë të re letrare në qytetin e Burrelit

Panairi i Parë i Librit- Mat u zhvillua për dy ditë, duke mbledhur autorë, botues dhe lexues, si dhe duke krijuar një hapësirë promovimi të librit dhe krijimtarisë letrare. Panairi i Parë i Librit- Mat (Burrel, 1-2 maj 2026), një aktivitet i organizuar në kuadër të 104 -vjetorit të themelimit të Matit. Në panair u organizuan gjithsej 16 veprimtari letrare dhe promovuese, përfshirë takime me shkrimtarë të njohur, promovime librash dhe diskutime mbi krijimtarinë bashkëkohore. Panairi u organizua nga Qendra Shqiptare e Studimeve Letrare “Pjetër Budi”, që drejtohet nga studiuesi i letërsisë Behar Gjoka, në bashkëpunim dhe me Bashkinë Mat.

Studiuesi Behar Gjoka shprehet se në këtë edicion të parë morën pjesë 14 shtëpi botuese, të cilat kontribuan në pasurimin e programit. “Organizatorët shprehin mirënjohje të veçantë për Bashkinë Mat, për mbështetjen dhe mundësimin e realizimit të këtij aktiviteti, si dhe për të gjithë botuesit, autorët dhe lexuesit që i dhanë jetë këtij panairi. Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm për promovimin e librit dhe kulturës në rajon, duke vendosur themelet për një traditë të re letrare në qytetin e Burrelit”, shprehet Gjoka.

Juria e çmimeve të panairit u kryesua nga Aleksandër Çipa. Fituesit e çmimeve “Budi” ishin: Çmimi “Budi” për Poezinë: Basir Bushkashi, për librin “Zërat e ndjenjave”; ⁠Çmimi “Budi” për Romanin: Namik Dokle, për trilogjinë “Atje ku dielli lind dy herë”; Çmimi “Budi” Special (In Memoriam): Shkëlzen Zalli, për kontributin e tij të shquar në letërsinë për fëmijë. Programi i ditës së parë përfshiu takime dhe promovime me emra të njohur të letërsisë shqiptare si Rita Petro, Basir Bushkashi, Namik Dokle, Adi Darsi, Aleksandër Çipa, Esat Ruka, H. Hysuka dhe Fatmir Gjestila, duke kulmuar me prezantime të veprave të reja dhe reflektime mbi krijimtarinë letrare.

Dita e dytë vijoi me promovime të autoreve dhe autorëve si Elona Basha, Vilma Nika, Viktor Canosinaj, Dilaver Kurti (prezantuar nga Artan Kurti), Isuf Çipi, Rubjana Nika dhe Hasan Pasha. Aktiviteti u ndoq me praninë e personaliteteve si: Ambasadori i Republikës së Kosovës Skënder Durmishi, deputeti Bujar Leskaj, Prof. Dr. Bardhosh Gace, deputeti Agron Malaj, Arta Marku, drejtore e QKLL, Ndue Dedaj, Alban Bala, Fatmir Toci, Irena Toci, Alfred Duka, Esat Ruka, Afërdita Onuzi, etj.

Lini një koment