Sadiku rikthehet për lamtumirën speciale me tifozët, heroi i golit historik ndaj Rumanisë në Euro 2016
Armando Sadiku do të nderohet me një ceremoni zyrtare lamtumire nga Kombëtarja shqiptare, përpara ndeshjes së sotme Shqipëri-Finlandë në Arenën Kombëtare, raporton Top Channel. Sulmuesi do të marrë duartrokitjet e fundit të tifozëve shqiptarë, ndërsa në ceremoninë e nderimit do të jetë i pranishëm edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
Më 19 qershor 2016, në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Kampionatit Europian në Francë, Sadiku shënoi golin e vetëm në fitoren 1-0 ndaj Rumanisë – fitorja e parë në histori e Shqipërisë në një Kampionat Europian. Ai gol e ktheu sulmuesin në hero kombëtar dhe mbetet një nga momentet më të paharrueshme të futbollit shqiptar.
Historia e Sadikut me Kombëtaren zgjati nga viti 2012 deri në vitin 2023: 39 ndeshje dhe 12 gola, shifra që e rendisin atë mes golashënuesve më të mirë në historinë e ekipit kombëtar.
Në Euro 2016, Sadiku ishte titullar në të tria ndeshjet e Shqipërisë në fazën e grupeve dhe shënoi atë gol të vetëm ndaj Rumanisë. Ai ishte pjesë e grupit që arriti kualifikimin historik të Shqipërisë për turneun e parë madhor ndërkombëtar në historinë e saj.
Karriera e tij në klube nisi në Shqipëri me Turbinën, Gramozin dhe Elbasanin, për të vazhduar më pas në Zvicër me Locarnon, Luganon dhe Zurichun. Më tej luajti në Poloni me Legia Warsaw, në Spanjë me Levanten, Málagën, Las Palmasin dhe Cartagenën, si edhe në Turqi me Erzurumsporin, në Bolivi me Bolívarin dhe në Indi me Mohun Bagan dhe Goan. Përvoja e tij e fundit ishte te Bellinzona në Zvicër.
Lamtumira e sotme në Arenën Kombëtare mbyll një kapitull të rëndësishëm të Kombëtares. Emri i Armando Sadikut do të mbetet i lidhur përgjithmonë me golin historik ndaj Rumanisë në Euro 2016 dhe me brezin që e çoi Shqipërinë për herë të parë në një Europian.