E hënë, 16 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kombetarja›Alarm në Kombëtare, Ernest Muçi humbet sfidën me Bjellorusinë

Alarm në Kombëtare, Ernest Muçi humbet sfidën me Bjellorusinë

Alarm në kampin kuqezi në prag të udhëtimit drejt Hungarisë, ku Shqipëria luan ndaj Bjellorusisë ndeshjen e fundit të grupit në Ligën e Kombeve. Ernest Muçi nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Maran, për shkak të dëmtimit të pësuar në ndeshjen me Finlandën, raporton Top Channel.

Dëmtimi erdhi në minutën e 67-të të sfidës Shqipëri–Finlandë, pas një përplasjeje me futbollistin finlandez Miro Tenho, i cili u ndëshkua me karton të kuq të drejtpërdrejtë për ndërhyrjen ndaj Muçit. Episodi ngriti menjëherë shqetësim për gjendjen fizike të sulmuesit shqiptar.

Problemi ka vijuar edhe pas ndeshjes: Muçi nuk mori pjesë as në seancën stërvitore të zhvilluar mëngjesin e sotëm. Burime konfidenciale pranë Kombëtares i konfirmojnë gazetarit të Top Channel, Endi Tufa, se mungesa në stërvitje lidhet pikërisht me dëmtimin e pësuar ndaj Finlandës dhe se sulmuesi nuk do të luajë në finalen e grupit.

Mungesa është shqetësuese për stafin teknik, pasi Muçi ishte ndër më të dalluarit e Shqipërisë në ndeshjen e fundit. Kombëtarja po përgatitet tashmë për udhëtimin në Hungari, por pa sulmuesin për duelin me Bjellorusinë, ndeshjen e fundit të kuqezinjve në këtë edicion të Ligës së Kombeve.

Lini një koment