E hënë, 16 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Kurti raporton për vizitat në Paris dhe Dublin: Anëtarësimi në BE mbetet prioritet strategjik i Kosovës

Kurti raporton për vizitat në Paris dhe Dublin: Anëtarësimi në BE mbetet prioritet strategjik i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për vizitat e tij të fundit në Paris dhe Dublin, ku zhvilloi takime me përfaqësues të lartë shtetërorë dhe ndërkombëtarë, duke theksuar përkushtimin e Kosovës ndaj integrimit evropian dhe euroatlantik.

Kurti ka bërë të ditur se gjatë javës së kaluar zhvilloi një agjendë të ngjeshur takimesh në Francë dhe Irlandë, përfshirë takime me ministra, përfaqësues të NATO-s dhe zyrtarë të institucioneve evropiane.

Ai ka treguar se në Paris është pritur dy herë në Pallatin Élysée nga presidenti francez, ndërsa ka zhvilluar edhe një takim bilateral. Po ashtu, ka zhvilluar takime me kryeministrin e Armenisë dhe kryetarin e Parisit, si dhe ka marrë pjesë në Forumin e Paqes.

Ndërkaq, gjatë qëndrimit në Dublin, Kurti ka vizituar Parlamentin e Irlandës, ku është pritur nga përfaqësues të Komitetit për Çështjet e Bashkimit Evropian.

Kreu i Qeverisë ka theksuar se në të gjitha këto takime është riafirmuar përkushtimi i Kosovës për të ardhmen e saj euroatlantike.

Duke folur për procesin e integrimit evropian, Kurti ka kërkuar që rrugëtimi zyrtar i Kosovës drejt BE-së të mos vonohet më tej, duke nënvizuar nevojën që Këshilli i Bashkimit Evropian t’i kërkojë Komisionit Evropian mendim për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, të dorëzuar më 15 dhjetor 2022, gjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së.

Sipas Kurtit, rëndësi ka jo vetëm arritja e synimit për anëtarësim, por edhe vetë procesi i reformave që e shoqëron këtë rrugëtim.

Ai ka theksuar se përmbushja e reformave ndihmon Kosovën të përparojë drejt integrimit evropian, ndërsa njëkohësisht sjell përfitime për qytetarët dhe kontribuon në forcimin e shtetit.

Kurti ka ritheksuar edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke e cilësuar atë si prioritet strategjik që do t’i shërbente paqes së qëndrueshme.

Në deklarimin e tij, kryeministri është ndalur edhe te procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës, duke theksuar se ky anëtarësim do t’i mundësonte Kosovës pjesëmarrjen në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore.

Po ashtu, sipas tij, qytetarëve të Kosovës do t’u hapej mundësia për qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. /Telegrafi/

Lini një koment