Tarifat e rrymës në veri, Rizvanolli ngre dyshime dhe kërkon hetim nga ZRRE-ja
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka ngritur dyshime rreth tarifave të energjisë elektrike në veri të vendit, duke thënë se qytetarët e asaj pjese paguajnë fatura më të shtrenjta krahasuar me pjesën tjetër të Kosovës, transmeton KosovaPress.
Sipas saj, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) duhet ta monitorojë tregun dhe të hetojë pse ekzistojnë dallime në çmime. Rizvanolli shpjegoi se në pjesën tjetër të vendit furnizuesi i shërbimit publik e blen shumicën dërrmuese të energjisë së KEK-ut me çmim shumë nën treg, rreth 30 euro për megavat-orë, ndaj dallimet në veri ngrenë dyshime nëse konkurrenca është e ndershme.
Deklarata vjen pas raportimeve se furnizuesit privatë në veri po i tarifojnë shtrenjtë qytetarët. Ministrja theksoi se çështja do të marrë vëmendjen e institucioneve dhe se ZRRE-ja duhet të bëjë transparencën e duhur për tarifat e aplikuara në veri.