E hënë, 16 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›LETONI – Kulbergs arrin marrëveshje për formimin e një qeverie të re koalicioni

LETONI – Kulbergs arrin marrëveshje për formimin e një qeverie të re koalicioni

RIGA, 16 nëntor /ATSH-DPA/- Kryeministri në detyrë i Letonisë, Andris Kulbergs, aleanca e të cilit “Lista e Bashkuar” shënoi një rezultat rekord në zgjedhjet e muajit të kaluar, ka arritur marrëveshjen për formimin e një qeverie të re koalicioni, pas disa raundesh negociatash.

Politikani 47-vjeçar, i cili vjen nga një aleancë e qendrës së djathtë, e përbërë nga grupe politike me orientim të gjelbër, konservator dhe pro-biznesit, arriti marrëveshjen me një nga partnerët e tij të mëparshëm në qeverisje, “Aleancën Kombëtare”, një forcë politike nacional-konservatore.

Marrëveshja u bë e ditur të hënën përmes një deklarate zyrtare. Dy partitë së bashku disponojnë 51 nga 100 vendet në parlamentin e Letonisë, duke siguruar një shumicë të ngushtë për formimin e qeverisë së re.

Kulbergs deklaroi se parlamenti mund ta miratojë kabinetin e ri qeveritar që këtë javë. Sipas marrëveshjes, “Aleanca Kombëtare” do të marrë drejtimin e tri ministrive, asaj të Mirëqenies Sociale, të Brendshme dhe të Kulturës.

Kulbergs, i cili është në detyrë që prej muajit maj, e udhëhoqi partinë e tij drejt një rezultati rekord në zgjedhjet parlamentare të zhvilluara në fillim të tetorit, duke fituar 41 nga 100 vendet në parlament.

Kryeministri mbështet një politikë të orientuar fuqishëm drejt biznesit dhe synon të vendosë në rregull financat publike të vendit.

Ai deklaroi se kabineti i ri do të përbëhet jo vetëm nga politikanë, por edhe nga ekspertë të fushave të ndryshme, me qëllim përmirësimin e funksionimit të administratës dhe qeverisjes.

Kulbergs bëri të ditur gjithashtu se ish-koloneli i ushtrisë, Raivis Melnis, i cili është i pavarur politikisht, ka pranuar të vazhdojë detyrën si ministër i Mbrojtjes.

Një tjetër ndryshim i njoftuar nga kryeministri është reduktimi i numrit të ministrive në qeveri. Si pjesë e riorganizimit, Ministria e Klimës dhe Energjisë do të shpërbëhet menjëherë. /

Lini një koment