E hënë, 16 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Integrim gradual në BE, Rama: Të 7 vendet e rajonit të ulen në tryezë, politika evropiane shpesh na zhgënjen

Integrim gradual në BE, Rama: Të 7 vendet e rajonit të ulen në tryezë, politika evropiane shpesh na zhgënjen

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar një qasje të re nga Bashkimi Evropian për procesin e zgjerimit, duke propozuar që shtatë vendet e rajonit të përfshihen në tryezën evropiane, pa ndryshuar parimin e integrimit të bazuar në meritë.

Gjatë fjalës së tij në Forumin e II-të të Zgjerimit të BE-së në Bruksel, Rama u shpreh se Plani i Rritjes është një instrument që pasqyron këtë qasje, por hendeku mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian mbetet ende i madh.

Kryeministri kundërshtoi idetë për krijimin e formave alternative të anëtarësimit, duke marrë si shembull propozimin për një status të asociuar për Ukrainën. Sipas tij, integrimi duhet të vijojë të mbështetet te merita dhe reformat, pasi ky proces është në interes të vetë vendeve kandidate.

“Kam luftuar për këtë gjë prej një kohe të gjatë dhe mendoj se Plani iri i Rritjes në vetvete është një instrument që e pasqyron këtë qasje nga ana e Komisionit dhe BE sepse hendeku vijon të jetë i madh dhe nevoja për të pasur më shumë sa u takon kapaciteteve për ta mbyllur këtë hendek është e jashtëzakonshme. Mendoj se përpjekjet për të bërë gjëra si ato që ju përmendet, si anëtar i asociiuar për Ukrainë për shembull, nuk shkojnë asgjëkund. Së pari sepse është një gënjeshtër dhe së dyti sepse nuk ka të bëjë me ndryshimin thellësisht të instrumentit të integrimit në BE që është një proces i mbështetur në meritë sepse nuk është në interes të vendeve tona vetë për ta ndryshuar një gjë të tillë. Procesi i bazuar në meritë është kryesisht e mbi të gjitha një dhuratë për ne. Është një proces i cili na bën ne të aftë të bëjmë gjëra që përkundrazi nuk do të ishim në gjendje t’i bënim. Për fat të mirë jemi në mes të Europës dhe kemi BE”, tha Rama.

Megjithatë, kreu i qeverisë shqiptare kritikoi ritmin politik të Bashkimit Evropian, duke thënë se ndërsa Komisioni Evropian kërkon reforma dhe zbatimin e standardeve, politika e vendeve anëtare shpesh i zhgënjen vendet kandidate për shkak të konflikteve dhe dobësive të brendshme.

Për të ilustruar propozimin e tij, kryeministri iu referua ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl dhe bashkimit të Gjermanisë, duke argumentuar se Evropa duhet të tregojë të njëjtin vullnet politik për afrimin e vendeve që synojnë anëtarësimin.

Sipas Ramës, Bashkimi Evropian duhet të marrë një vendim politik për t’i sjellë të shtatë vendet e rajonit në tryezë, ndërsa përfitimet konkrete dhe avancimi i secilit vend të vijojnë të varen nga rezultatet dhe meritat e tyre.

“BE është burimi më i jashtëzakonshëm i dijes si ndërtohen institucionet dhe si krijohet një sistem që funksionon në vetvete. Por ajo që mendoj se mungon është politika. Mendoj se Komisioni ka të drejtën e vet të na torturojë dhe e bën në mënyrë të përsosur, por ndërkohë që falë kësaj torture e pune ne përmirësohemi, politika e BE shpesh na zhgënjen, na rrëzon për shkak të dobësisë së saj apo për shkak të konflikteve të brendshme nga njëri shtet anëtar në tjetrin. Politika është shumë pas dhe ajo që shpresoj është që sot Europa të gjejë momentin e saj Helmut Kohl. Helmut Kohl nuk shkoi ën vendin ku ra muri për t’i thënë atdhetarëve të tij jeni të lirë, por keni nja 33 kapituj para se të jetojmë së bashku. Ai tha: tashëm jemi bashkë, pjesa tjetër do të vijë. Kështu që mendoj se ka ardhur koha për Komisionin Europian, Këshillin, shtete anëtare t’i sjellë të 7 vendet t’i ulë rreth tryezës. Secili prej të 7 duhet të jetë pjesë e tryezës, por se cili mund të përfitojë nga tryeza, atë që thotë procesi i bazuar në meritë, atëherë ndëshkohesh.

Mendoj se është e bëshme, është politike dhe nuk ka nevojë të ndryshojë asgjë. Jemi rreth tryezës të gjithë, kështu e shoh unë sepse nëse Ursula do t’u thoshte fëmijëve duhet ët rriteni ashtë në lagje para se tju pranojmë në shtëpi, atëherë do të rrezikohej që fëmijët të mos vinin më në shtëpi, larg qoftë vajza do të binte në dashuri me një gangster rus, apo një tjetër mund të luante me lodra kineze deri në atë pikë sa të mos donte të futej në shtëpi. Nuk është ide e mirë që ne të mbahemi jashtë, jo ne shqiptarët, ne mund të rrimë jashtë sepse ne jemi si askush tjetër këtu, nuk kemi marrëdhënie me Rusinë, jemi paksa të veçantë. Jemi plotësisht ët dashuruar me BE dhe do të jemi aty edhe nëse BE do të zhduket. Pra nuk ka të bëjë me ne, por me të gjithë rajonin dhe si europianë të gjithë duhet ta shohim në këtë lloj mënyre”, theksoi Rama.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment