Hapet edicioni i 14-të i Javës Globale të Ndërmarrësisë, Kurti: Ndërmarrësia nuk është vetëm ekonomi, por edhe mundësia që njeriu të jetojë nga puna e vet
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri hapjen zyrtare të edicionit të 14-të të Javës Globale të Ndërmarrësisë (Global Entrepreneurship Week – GEW2026), organizuar nga Qendra e Kosovës për Inovacion (ICK) nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit.
Kurti tha se ndërmarrësia nuk është vetëm ekonomi, por edhe mundësia që njeriu të jetojë nga dija dhe puna e vet.
“Jemi duke ecur e përparuar mirë si shtet. Në dhjetë vitet e fundit, në Kosovë janë regjistruar mbi 118 mijë biznese. Vitin e kaluar, eksporti ynë i shërbimeve kompjuterike, informative dhe telekomunikuese arriti rreth 400 milionë euro, 14 për qind më shumë se një vit më parë apo me një rritje, që është sa trefishi i rritjes së Bruto Produktit Vendor”, tha ai.
Kryeministri Kurti theksoi se qëllimi për vitet e ardhshme është një ekonomi që prodhon më shumë, eksporton më shumë dhe krijon vlerë më të lartë, teksa shtoi se një ide e lindur në Kosovë duhet të ketë mundësi të rritet këtu dhe të dalë prej këtu në botë.
“Inovacioni dhe teknologjia, padyshim se do të jenë në qendër të zhvillimit ekonomik të Kosovës, me synim krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve, pra sa më efikase, sa më pak kohë, sa më shumë produktivitet dhe zhvillimin e prodhimeve e shërbimeve me vlerë të lartë të shtuar e me potencial eksportues”, tha kryeministri Kurti, duke theksuar se për këtë qëllim, do të funksionalizohet Agjencia për Inovacion dhe Ndërmarrësi dhe do të themelohet Fondi për Inovacion, për të mbështetur idetë inovative, startup-et, investimet në kërkim dhe zhvillim (R&D), digjitalizimin dhe përdorimin e teknologjive të avancuara.
Kryeministri Kurti theksoi se do të fuqizohet bashkëpunimi ndërmjet universiteteve, institucioneve hulumtuese dhe sektorit privat për shndërrimin e njohurive shkencore në produkte dhe shërbime konkrete, ndërkaq ndërmarrësit inovativë do të mbështeten përmes programeve të inkubimit dhe përshpejtimit, mentorimit, qasjes në financim dhe lidhjes me investitorë e tregje ndërkombëtare.
Ai tha se vëmendje e posaçme do t’i kushtohet përfshirjes së grave dhe vajzave në inovacion dhe ndërmarrësi, si dhe integrimit më të avancuar të Kosovës në programet dhe rrjetet evropiane të kërkimit dhe të inovacionit. Përkitazi me këtë, kryeministri, theksoi faktin se nga rreth 18 mijë bursa të cilat kanë pasur shumën e gjithmbarshme rreth 20 milionë euro në mandatin e kaluar, mbi 40 për qind kanë qenë për Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë (STEM), dhe atë mbi 90 për qind për vajzat studente.
“Pra, investimi në dije, arsimim, sidomos në shkenca, e posaçërisht për vajzat dhe për gratë, është investimi që e ka kthimin më të madh në vendin tonë”, u shpreh ai. /Telegrafi/