E hënë, 16 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›ITALI – Ish-kreu i policisë, Gianni De Gennaro, nën hetim për devijim të hetimeve

ITALI – Ish-kreu i policisë, Gianni De Gennaro, nën hetim për devijim të hetimeve

ROMË, 16 nëntor /ATSH-ANSA/ – Ish-kreu i policisë italiane, Gianni De Gennaro, është nën hetim nga Prokuroria e Kaltanissettës për devijim të hetimeve, në kuadër të hetimit për masakrën e rrugës ”D’Amelio” dhe zhdukjen e së ashtuquajturës ”agjenda e kuqe” të gjyqtarit Paolo Borsellino.

Magjistratët e Kaltanissettës i kanë dorëzuar De Gennaros një njoftim zyrtar për nisjen e hetimit.

Gjatë ditëve të fundit, ata kishin urdhëruar kontrolle në ambiente që ndodheshin në dispozicion të tij.

Karabinierët e ROS-it kishin ekzekutuar në provincën e Romës gjashtë urdhra kontrolli.

Verifikimet kishin përfshirë, përveç De Gennaros, edhe bashkëpunëtorin e drejtësisë Salvatore Contorno, Donatella Peruzzi, e cila punon në Departamentin e Informacionit për Sigurinë (DIS), Massimo Carnicelli, përgjegjës për sigurinë personale të ish-kreut të Policisë, si dhe Francesco Pacetto, ish-inspektor policie dhe bashkëpunëtor i tij i ngushtë.

Sipas hipotezës së prokurorëve të Kaltanissettës, De Gennaro, duke u mbështetur te Carnicelli dhe Pacetto, do të ishte përpjekur të pengonte Contornon të jepte deklarime në Prokurori.

Ndërsa përmes Peruzzit, ai dyshohet se ka fshehur dokumentacion që lidhej, ndër të tjera, me arrestimin e të penduarit në vitin 1989 në Sicili, në kohën kur De Gennaro drejtonte Njësinë Qendrore të Antikrimit, e cila administronte bashkëpunëtorin e drejtësisë.

Hetimi, i koordinuar nga prokurori Salvatore De Luca, synon të identifikojë përgjegjësi të mundshme të pjesëtarëve të strukturave institucionale, në nivele më të larta se ish-kreu i skuadrës mobile të Palermos, Arnaldo La Barbera, në devijimin e hetimeve për masakrën dhe në zhdukjen e ”agjendës së kuqe”./ /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment