Mbi 200 distrikte shkollore në Michigan ndajnë afro 10 milionë dollarë për trajnimin dhe mbajtjen e mësuesve të rinj
Më shumë se 200 distrikte shkollore dhe akademi publike në Michigan kanë fituar fonde granti për të mbështetur trajnimin dhe mbajtjen e mësuesve dhe administratorëve të rinj në shkolla, njofton WDIV Local 4.
Sipas raportimit të WDIV, financimi i Departamentit të Arsimit të Michiganit përfshin afro 8,5 milionë dollarë për 199 distrikte të ndërmjetme dhe agjenci lokale të arsimit, para që do të përdoren për pagesa dhe trajnime të mentorëve të mësuesve, libra dhe materiale të tjera për klasat, zhvillim profesional dhe burime të tjera që ndihmojnë përfshirjen e edukatorëve të rinj në punë.
Një shumë shtesë prej 1,5 milionë dollarësh, thotë WDIV, u është ndarë 118 distrikteve për të mbështetur kontratat e shërbimeve të mentorimit për administratorët shkollorë.
Në një deklaratë të publikuar në fillim të kësaj jave, mbikëqyrësi shtetëror i arsimit, dr. Glenn Maleyko, tha se programet e mentorimit dhe të përfshirjes në punë janë një pjesë e rëndësishme e përpjekjes së shtetit për të mbajtur mësuesit dhe administratorët “që po bëjnë ndryshimin në jetën e fëmijëve”. “Nëse duam t’i vendosim nxënësit të parët, duhet t’i mbajmë edukatorët e rinj të shquar në këtë fushë”, tha Maleyko, citon WDIV.
Përpjekja është edhe pjesë e Planit Strategjik 10-pikësh të Arsimit të Michiganit për të rritur numrin e mësuesve të certifikuar në fushat ku ka mungesë të edukatorëve të kualifikuar.
“Distriktet që po i marrin këto grante kanë treguar se janë të përkushtuara për të forcuar aftësitë e mësuesve dhe administratorëve të rinj dhe për t’i mbajtur ata duke mësuar nga edukatorë më me përvojë”, tha në një njoftim për shtyp presidentja e Bordit Shtetëror të Arsimit, dr. Pamela Pugh, raporton WDIV. “Bordi Shtetëror i Arsimit do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për të trajtuar mungesën e mësuesve.”
Nga më shumë se 200 distriktet dhe akademitë publike që marrin financim në gjithë shtetin, gati gjysma ndodhen në Michiganin juglindor. Në qarkun Wayne, mes përfituesve janë Shkollat Publike të Detroitit (Detroit Public Schools Community District), akademitë e shumta në Detroit, Dearborn Heights dhe Hamtramck — përfshirë Caniff Liberty Academy — si dhe distriktet e Allen Park-ut, Garden City-t, Plymouth-Canton-it, Romulus-it, Wayne-Westland-it dhe Wyandotte-s.
Në qarkun Oakland përfitojnë, ndër të tjerë, distriktet e Ferndale-t, Hazel Park-ut, Novi-t, Rochester-it, Southfield-it, Troy-t, Waterford-it dhe West Bloomfield-it, ndërsa në qarkun Macomb lista përfshin Eastpointe-n, Roseville-in, Utica-n dhe Warren Consolidated. Fonde marrin edhe distrikte në qarqet St. Clair, Washtenaw, Monroe, Livingston dhe Genesee.
Lista e plotë e distrikteve përfituese është e publikuar në faqen Michigan.gov, kujton WDIV.