E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kombetarja›Analiza e Shpëtim Duros: Maran të gjejë zgjidhjet për pasuesit e Gjimshitit dhe Hysajt

Analiza e Shpëtim Duros: Maran të gjejë zgjidhjet për pasuesit e Gjimshitit dhe Hysajt

“Panorama Goal Podcast”, në “Panorama TV”, (me Tevisa Tufën dhe Olsi Avdiaj) nisi të dielën udhëtimin me komentimin “live” të ndeshjes Bjellorusi–Shqipëri. I ftuari special në emisionin e parë ishte trajneri i njohur shqiptar dhe ish-zëvendëstrajneri i Kombëtares në kohën e Oto Bariçit, Shpëtim Duro.

Gjatë analizës së tij, Duro vlerësoi fitoren e kuqezinjve dhe sigurimin e vendit të parë në grup. Trajneri u ndal në disa prej elementeve që spikatën në ndeshje, duke veçuar zgjidhjen taktike Mitaj–Pilo, Manajn si liderin e sulmit, si dhe paraqitjen e Muçit, për të cilin theksoi se është një prej lojtarëve që nuk ka marrë gjithmonë vlerësimin që meriton. Duro foli edhe për situatat që, sipas tij, duhet të ndryshohen nga trajneri Rolando Maran, veçanërisht për gjetjen e zgjidhjeve për pasuesit e Gjimshitit dhe Hysajt.

Ish-zëvendëstrajneri i Kombëtares u ndal gjithashtu te e ardhmja e kuqezinjve, duke theksuar nevojën për një qasje të qartë në funksion të ciklit të ardhshëm. Një tjetër çështje që mori vëmendje ishte ajo e marrëdhënieve Shqipëri– Kosovë sa i përket përzgjedhjes së futbollistëve.

Duro ishte i qartë se përplasjet për këtë temë duhet të lihen pas dhe se interesi i Kombëtares duhet të jetë mbi çdo ndarje tjetër. Gjatë emisionit, Duro zbuloi edhe një episod nga periudha kur ishte pjesë e stafit të Kombëtares, duke iu referuar dy ndeshjeve të shumë diskutuara, Shqipëri–Bjellorusi 2-4 dhe Rumani– Shqipëri 6-1.

“Ne kemi barazuar me Bjellorusinë në ndeshjen e parë, ndërsa në ‘Qemal Stafa’ kemi humbur 4-2, ndonëse ishim 2-1. Ka qenë një situatë që nuk diskutohet në parashkrim, sepse ka kaluar shumë kohë. Ishin dy ndeshjet e fundit. Pas Bjellorusisë, ju e mbani mend edhe ndeshjen e famshme në Rumani, 6-1. Ajo ndeshja me Rumaninë ishte estradë, jo reale. Ajo histori është mbyllur tani”, tha Shpëtim Duro, ish-zëvendëstrajneri i Kombëtares shqiptare.

PANORAMASPORT.AL

Lini një koment