E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Integrimi në BE, ministri Hoxha takon Marta Kos: Koha që këtë momentum ta përkthejmë në rezultate, mbyllje kapitujsh dhe

Integrimi në BE, ministri Hoxha takon Marta Kos: Koha që këtë momentum ta përkthejmë në rezultate, mbyllje kapitujsh dhe

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me Komisioneren Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, në fokus të të cilit ishte ecuria e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe hapat e mëtejshëm drejt përmbylljes së negociatave.

Gjatë takimit, palët bënë një bilanc të progresit të Shqipërisë pas publikimit të Raportit të Progresit 2026, shqyrtuan udhërrëfyesin e negociatave dhe diskutuan mbi perspektivën e procesit, si dhe ecurinë e zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Ministri Hoxha theksoi se Shqipëria ka krijuar një momentum të fortë dhe real në rrugëtimin e saj evropian, i cili tashmë duhet të përkthehet në rezultate konkrete dhe të matshme.

“Tani është koha që këtë momentum ta përkthejmë në rezultate të matshme, të vijojmë me mbylljen e kapitujve dhe t’i shndërrojmë angazhimet në reforma, e reformat në anëtarësim”, u shpreh Ministri.

Ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare të BE-së për përshpejtimin e reformave, përmbushjen e angazhimeve dhe ruajtjen e ritmit të negociatave në fazën vendimtare të procesit të anëtarësimit.

Në përfundim, Ministri Hoxha falënderoi Komisioneren Kos për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë dhe angazhimin e saj për një proces zgjerimi të besueshëm dhe të bazuar në meritë, duke theksuar se zgjerimi përbën një investim strategjik në të ardhmen e përbashkët evropiane.

Lini një koment