Reforma zgjedhore, ndërkombëtarët kthejnë në tryezë PS e PD, kërkohet ndihma e ekspertëve të ODIHR
Pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve, mazhoranca dhe opozita ranë dakord të rifillojnë punën për Reformën Zgjedhore, siç njofton Shqiptarja.com. Në mbledhjen e radhës, PS e PD miratuan të tria pikat e rendit të ditës dhe pranuan të përfshijnë në proces ekspertët e ODIHR-it.
Takimet e ambasadorit të BE-së De Sousa dhe të kreut të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Tarran, me dy bashkëkryetarët e reformës zgjedhore dhanë efekt: palët nisën realisht punën në komision, afati i të cilit përfundon pas vetëm dy javësh, më 30 nëntor. Bashkëkryetarët Gjiknuri dhe Bylykbashi ranë dakord të vijojnë punën, me shpresën e një produkti të përbashkët.
“T’u kërkojmë ekspertëve të ODIHR-it të vijnë dhe të jenë të pranishëm në punën e ekspertëve të komisionit, që të punojnë së bashku dhe të nxjerrin një produkt”, tha Bylykbashi, ndërsa Gjiknuri u shpreh: “Jam dakord që draftet të vijnë sa më shpejt, që të fillojë puna, të kërkojmë ndihmën e ekspertëve të ODIHR-it”.
Palët ranë dakord që, pasi PD të depozitojë zyrtarisht draftin ligjor për ndryshimet në Kodin Zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, ekspertët e të dyja palëve të nisin punën. Ligji për financimin e partive politike, me marrëveshjen e dy bashkëkryetarëve, do t’i dërgohet Komisionit të Venecias përmes Kuvendit për një opinion përfundimtar.
Pritet të nisë puna edhe për ndryshimet që imponon harta e re territoriale, tashmë me 46 bashki, ku PS e PD duhet të bien dakord për formulën e zgjedhjes së këshilltarëve bashkiakë. Nëse komisioni nuk arrin një produkt brenda afatit, mazhoranca do ta çojë atë e vetme në Kuvend, ashtu si me hartën territoriale.