Ministri Nufi takohet me homologun Maqedonci në Bruksel: Kosova në NATO, Shqipëria e mbështet këtë aspiratë!
Përpara zhvillimit të Takimit të 37-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës (UDCG), Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Ermal Nufi është takuar me homologun e tij nga Kosova, Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Ministri Nufi ka ndarë mesazhin e fortë se Kosova në NATO është nevojë strategjike për forcimin e stabilitetit rajonal, duke nënvizuar edhe vendosmërinë e Shqipërisë për ta mbështetur këtë aspiratë.
Mesazhi i plotë i Ministrit Nufi në lidhje me takimin:
“Selia e NATO-s, Bruksel — Me homologun dhe mikun nga Kosova, Ejup Maqedonci, sot para Takimit të 37-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.
Kosova në NATO është nevojë strategjike për forcimin e stabilitetit rajonal, parandalimin e konflikteve dhe shmangien e rrezikut të hapjes së fronteve të reja të pasigurisë në Europë.
Këtë aspiratë, Shqipëria do ta mbështesë me vendosmëri, në çdo forum dhe në çdo nivel të bashkëpunimit euroatlantik.
Një NATO më e fortë në Ballkan do të thotë edhe një Europë më e sigurt!”.