E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi takohet me homologun Ejup Maqedonci në Bruksel: Kosova në NATO është nevojë strategjike

Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi takohet me homologun Ejup Maqedonci në Bruksel: Kosova në NATO është nevojë strategjike

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, zhvilloi sot një takim me homologun e tij të Kosovës, Ejup Maqedonci, në Selinë e NATO-s në Bruksel, në prag të punimeve të Takimit të 37-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës (UDCG).

Nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale, ku publikoi edhe pamje nga takimi pranë delegacionit shqiptar në NATO, ministri Nufi rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Tiranës zyrtare për integrimin euroatlantik të Kosovës, duke e cilësuar anëtarësimin e saj si domosdoshmëri për sigurinë rajonale.

“Me homologun dhe mikun nga Kosova, Ejup Maqedonci, sot para Takimit të 37-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës. Kosova në NATO është nevojë strategjike për forcimin e stabilitetit rajonal, parandalimin e konflikteve dhe shmangien e rrezikut të hapjes së fronteve të reja të pasigurisë në Evropë”, deklaroi ministri Nufi.

Ai theksoi më tej se Shqipëria do të vijojë angazhimin e saj diplomatik dhe ushtarak në favor të Prishtinës, duke shtuar se “këtë aspiratë, Shqipëria do ta mbështesë me vendosmëri, në çdo forum dhe në çdo nivel të bashkëpunimit euroatlantik. Një NATO më e fortë në Ballkan do të thotë edhe një Europë më e sigurt!”.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment