SHBA – FBI: Hakerat po përdorin IA-në për të automatizuar sulmet kibernetike në mbarë botën
UASHINGTON, 17 nëntor /ATSH-AA/ – Byroja Federale e Hetimit ( FBI) ka paralajmëruar se kriminelët kibernetikë dhe hakerat e lidhur me shtete të ndryshme po përdorin një mjet të fuqizuar nga inteligjenca artificiale, të quajtur ARTEX, për të automatizuar sulmet ndaj kompanive dhe institucioneve në mbarë botën.
Sipas FBI-së, ky sistem mund të përshpejtojë ndjeshëm procesin e depërtimit në rrjetet kompjuterike, duke kaluar nga identifikimi i objektivit deri te marrja e aksesit me privilegje të larta në më pak se tre orë.
Autoritetet amerikane bëjnë të ditur se ARTEX është përdorur edhe në një sulm të tetorit ndaj zinxhirit të furnizimit të kompanisë “ConnectWise”. Ky incident ekspozoi mjedise të klientëve të Microsoft 365 dhe përfshiu përpjekje për autentifikim ndaj më shumë se 2 250 organizatave që përdornin shërbimet e prekura.
FBI-ja thekson se përdorimi i këtij mjeti është konstatuar të paktën që nga gushti 2026, në sektorë të shumtë, përfshirë financat, qeverisjen, teknologjinë, mbrojtjen, energjinë, shëndetësinë, industrinë prodhuese dhe telekomunikacionin.
Shqetësimi kryesor lidhet me faktin se inteligjenca artificiale po u mundëson sulmuesve të automatizojnë procese që më parë kërkonin shumë kohë dhe njohuri të specializuara teknike.
Kjo mund të rrisë shpejtësinë, shkallën dhe kompleksitetin e sulmeve kibernetike.
FBI-ja u ka bërë thirrje kompanive dhe institucioneve të forcojnë kontrollet e aksesit, të monitorojnë aktivitetet e dyshimta të automatizuara dhe të raportojnë çdo shenjë të mundshme komprometimi.
Paralajmërimi nënvizon se inteligjenca artificiale po bëhet një instrument gjithnjë e më i fuqishëm jo vetëm për mbrojtjen, por edhe për krimin kibernetik.