E mërkurë, 18 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FOKUS – Rusia paralajmëron Francën dhe vendet e tjera kundër përfshirjes në luftën në Ukrainë

FOKUS – Rusia paralajmëron Francën dhe vendet e tjera kundër përfshirjes në luftën në Ukrainë

MANILA, 17 nëntor /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se ushtarë nga Franca dhe vende të tjera kanë qenë të pranishëm në Ukrainë prej më shumë se gjashtë muajsh.

Sipas agjencisë ruse TASS, deklarata u bë sot gjatë një konference për shtyp në Manila të Filipineve.

Lavrov tha se Moska i kishte paralajmëruar më parë shtetet përkatëse përmes kanaleve diplomatike.

Sipas shefit të diplomacisë ruse, përfshirja e personelit ushtarak perëndimor nuk përbën më thjesht ndihmë për Ukrainën, por pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në luftë.

Ai përmendi si shembuj ndihmën për përcaktimin e objektivave ushtarake dhe sigurimin e të dhënave satelitore.

Moska ka paralajmëruar vazhdimisht se trupat perëndimore që do të dislokoheshin në Ukrainë do të konsideroheshin objektiva legjitime ushtarake.

Ndërkohë, mediat franceze RFI dhe France 2 kanë raportuar, duke cituar burime anonime, se ushtarë francezë ndodheshin në Ukrainë në kuadër të një misioni sekret të quajtur “Volia”.

Sipas raportimeve, detyra e tyre ishte trajnimi i forcave ukrainase dhe furnizimi me pajisje, jo pjesëmarrja në luftime.

Parisi nuk e ka konfirmuar zyrtarisht ekzistencën e këtij misioni.

Debati është intensifikuar edhe pas publikimit të një bisede të përgjuar mes oficerëve gjermanë në shkurt 2024, ku diskutohej për praninë e personelit britanik në terren.

Më herët, Britania kishte reaguar ndaj deklaratave të kancelarit të atëhershëm gjerman, Olaf Scholz, të cilat u interpretuan si sugjerim se personel britanik dhe francez ndihmonte Ukrainën në përdorimin e raketave “Storm Shadow” dhe SCALP.

Londra kishte deklaruar se përdorimi i këtyre raketave dhe përzgjedhja e objektivave ishin përgjegjësi e ushtrisë ukrainase.

Lini një koment