Rrëzohet një avion ushtarak rus An-12 në Siberi, humbin jetën të 19 personat në bord
Një avion transporti ushtarak An-12 u rrëzua të martën në rajonin e Kemerovos, në Siberinë jugperëndimore, dhe të 19 personat në bord humbën jetën, siç njofton Reuters. Ministria ruse e Mbrojtjes, e cituar nga agjencia shtetërore RIA, tha se shkaku paraprak i katastrofës është një defekt teknik.
Avioni ra në një zonë të pabanuar pranë fshatit Yagunovo. Guvernatori rajonal Ilya Seredyuk, i cili publikoi pamje nga vendi i ngjarjes në Telegram, tha se ekipet e emergjencës e shuan zjarrin dhe se detyra e tyre kryesore në terren është të ndihmojnë hetimin për aksidentin. Një komision i Forcave Ajrore-Hapësinore ruse po punon në vendngjarje për të përcaktuar të gjitha rrethanat e aksidentit.
An-12 është një avion transporti me katër motorë turboprop, i projektuar në Bashkimin Sovjetik në vitet 1950 dhe ende në shërbim në forcat ajrore ruse. Raportet e para në mediat ruse folën për 17 persona në bord, por ministria sqaroi se në avion ndodheshin 19 persona, përfshirë ekuipazhin, dhe se të gjithë humbën jetën.