Komisioni Evropian miraton skemën holandeze prej 9.5 miliardë eurosh për dy parqe ere në Detin e Veriut
Komisioni Evropian miratoi të martën, sipas rregullave të BE-së për ndihmën shtetërore, një skemë holandeze prej 9.5 miliardë eurosh për të mbështetur prodhimin e energjisë së rinovueshme nga dy parqe ere në Detin e Veriut, siç njofton Komisioni Evropian përmes njoftimit të tij për shtyp. Masa do të ndihmojë planin holandez për zgjerimin e energjisë së erës në det dhe objektivat e BE-së në kuadër të Marrëveshjes Industriale të Pastër.
Skema, e quajtur Tijdelijk Ondersteuningsmechanisme Windenergie Op Zee (TOWOZ), do të mbështesë parqet IJmuiden Ver Gamma-A dhe IJmuiden Ver Gamma-B. Të dyja së bashku kanë kapacitet 2 GW dhe pritet të prodhojnë deri në 7.441 GWh energji të rinovueshme në vit. Buxheti maksimal i skemës është 9.45 miliardë euro, raporton edhe Reuters.
Skema mbulon dy tenderë që do të organizohen para korrikut 2027. Ofertuesit mund të kërkojnë të zhvillojnë projektin pa ndihmë, duke i ofruar shtetit një pagesë koncesioni për zonën, ose të kërkojnë një prim ndihme. Vetëm nëse nuk ka oferta pa subvencione, qeveria holandeze do të shqyrtojë ofertat me prim, ku fituesi zgjidhet sipas çmimit më të ulët. Nëse jepet, ndihma do të paguhet për 15 vjet nga fillimi i operimit, i parashikuar në vitin 2032, në formën e një primi të ndryshueshëm mbi të ardhurat e tregut kur çmimet e energjisë janë shumë të ulëta.
Skema përfshin masa mbrojtëse kundër mbikompensimit, përfshirë një tavan oferte dhe një mekanizëm kthimi, sipas të cilit një pjesë e ndihmës duhet të kthehet nëse çmimet e tregut janë më të larta se çmimi i kontraktuar. Kriteret e Aktit për Industrinë Neto Zero do të përfshihen si kushte parakualifikimi, me kërkesën për diversifikimin e zinxhirëve të furnizimit me turbina ere dhe komponentë kryesorë, për të ulur varësinë nga importet jashtë Evropës. Holanda vlerëson se dy projektet së bashku do të shmangin rreth 147 milionë tonë emetime CO2 gjatë jetës së tyre.
Komisioni e vlerësoi masën sipas nenit 107(3)(c) të Traktatit për Funksionimin e BE-së dhe udhëzimeve për ndihmën për klimën, mjedisin dhe energjinë. Ai arriti në përfundimin se skema është e nevojshme dhe e përshtatshme për zhvillimin e energjisë së erës në det, se ka efekt nxitës për investime që nuk do të bëheshin në të njëjtën masë pa mbështetje publike dhe se është proporcionale, sepse ndihma përcaktohet me garë konkurruese dhe jepet vetëm nëse nuk fiton një ofertë pa subvencione. Versioni jokonfidencial i vendimit do të publikohet me numrin e çështjes SA.118604 në regjistrin e ndihmës shtetërore.