Mijëra sllovakë protestojnë kundër Ficos në përvjetorin e Revolucionit të Kadifenjtë, rreth 25 mijë njerëz në Bratislavë
Mijëra sllovakë dolën të martën në rrugë në dhjetëra qytete të vendit për të protestuar kundër qeverisë së kryeministrit Robert Fico, në përvjetorin e Revolucionit të Kadifenjtë të vitit 1989, që i dha fund dekadave të sundimit komunist në Çekosllovakinë e atëhershme, siç njofton Associated Press.
Në Bratislavë, protestuesit brohoritën vazhdimisht “Na ka ardhur në majë të hundës me Ficon”, ndërsa organizatorët vlerësuan se rreth 25 mijë njerëz mbushën sheshin qendror SNP. Një banderolë i drejtohej kryeministrit me mesazhin e shkurtër: “Shko në djall”.
Tubimi mblodhi një koalicion të gjerë opozitar, ku bënin pjesë Sllovakia Progresive dhe Demokratët liberalë, partia pro-biznesit Liri dhe Solidaritet, demokratët e krishterë konservatorë dhe një aleancë e hungarezëve etnikë, të cilat synojnë ta rrëzojnë Ficon dhe koalicionin e tij në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. “Ashtu si në vitin 1989, gjërat që na bashkojnë duhet të jenë më të forta se ato që na ndajnë”, tha Michal Šimečka, kryetari i Sllovakisë Progresive, partisë më të madhe opozitare. “Mund të fitojmë vetëm duke qëndruar së bashku.”
Pakënaqësia publike është shtuar pasi qeveria dërgoi ministrin e Jashtëm Juraj Blanár në Rusi për bisedime mbi rivendosjen e bashkëpunimit ekonomik dhe lidhjeve të tjera dypalëshe, në vizitën e parë të tillë që nga pushtimi i plotë rus i Ukrainës në vitin 2022. Fico e kishte mbështetur nismën gjatë vizitave të tij në Moskë, ku u takua me presidentin rus Vladimir Putin, dhe vetëm pak orë para protestës kabineti i tij u mblodh për të shqyrtuar raportin mbi udhëtimin e Blanárit, ndërsa turma përgjigjej me brohoritjet “Turp, turp”.
Fico, i cili pas largimit nga pushteti të Viktor Orbánit në Hungari në prill mbetet udhëheqësi më hapur prorus i Evropës, ka ndaluar ndihmën ushtarake të Sllovakisë për Ukrainën, ka kundërshtuar sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe garancitë e kredisë së BE-së për Kievin, qëndrime që e vendosin përballë pjesës më të madhe të Evropës.