“Condé Nast Traveler” zbulon madhështinë e Alpeve shqiptare, “Majat e Ballkanit” një udhëtim mes natyrës dhe traditës
– Shtegu turistik “Majat e Ballkanit”, që përshkon malet e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, po kthehet në një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e turizmit malor dhe rigjallërimin e komuniteteve lokale.
Përgjatë një itinerari prej rreth 192 kilometrash, vizitorët zbulojnë peizazhe të egra, fshatra malorë dhe tradita të mikpritjes, ndërsa bujtinat familjare u krijojnë banorëve mundësi për t’u rikthyer në vendlindje dhe për të siguruar të ardhura përmes turizmit.
Një reportazh i revistës prestigjioze “Condé Nast Traveler” vë në pah vlerat natyrore dhe kulturore të këtij itinerari, si dhe rolin e tij në forcimin e lidhjeve mes komuniteteve të rajonit.
Rruga 191 kilometra, që lidh bujtinat njëra pas tjetrës, ka rilidhur fshatrat malorë të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, dikur të ndarë nga luftërat, duke u hapur dyert vizitorëve nga e gjithë bota.
Zhurma e kambanave të lopëve që binin jashtë kabinës sime prej druri, të thjeshtë dhe pa shumë orendi, në Dobërdol, një vendbanim i lartë malor në veri të Shqipërisë, më zgjoi nga gjumi.
Përmes dritares, paksa të mjegulluar nga ajri i ftohtë i mëngjesit, në lartësinë 1,737 metra mbi nivelin e detit, pashë shkaktarët e kësaj zhurme: pesë lopë ngjyrë gështenjë, që kullosin vetëm pak hapa larg shtratit tim, ndërsa kambanat në qafën e tyre dhe bishtat lëkunden pareshtur.
Bëra rrugën e shkurtër, por të akullt, përmes lëndinës së bujtinës drejt dhomës së mëngjesit, duke iu shmangur rreth një duzine çadrash alpinistësh të ngritura mbi bar.
Ecja e e një dite më parë prej 16 kilometrash, nga Çeremi në Dobërdol, ishte ende e freskët në kujtesën time: shtigje të pluhurosura e të dheut, të rrethuara nga boronica të egra, të cilave nuk u rezistova dot, si dhe lule shelgu, petalet e të cilave kishin një ngjyrë kaq intensive vjollcë, saqë përputheshin me njollat e frutave në gishtat e mi.
Pyjet me pisha, ah dhe bredha në këto zona ishin aq të dendura, saqë drita e ditës zbehej brenda tyre; ndërsa luginat ishin marramendëse në thellësinë e tyre, teksa shtriheshin e përthyheshin në vetvete.
Bujtinat në pronësi të banorëve vendas i mirëpresin alpinistët, me vakte të përfshira në çmim, si perime të freskëta, produkte bulmeti të përgatitura në shtëpi, salsiçe dhe mishra të përpunuar tradicionalisht.
Ishte mesi i shtatorit dhe ora 07:00 e mëngjesit, por mëngjesi kishte nisur prej kohësh dhe në tavolinat e vendosura ngjeshur në dhomën komode me konstruksion druri nuk kishte mbetur asnjë vend bosh.
Vëllezërit Kurmekaj, mikpritësit tanë, lëviznin me nxitim mes kuzhinës dhe tavolinave, duke sjellë nga katër pjata secili, të mbushura me vezë të skuqura, salsiçe, djathë të freskët deleje dhe sallatë me kastravec e domate, një pjesë e pandashme e tryezës ballkanike.
U përpoqa t’u shmangesha sa më shumë që të ishte e mundur, ndërsa dera pas meje hapej vazhdimisht dhe në dhomë hynin gjithnjë e më shumë alpinistë.
Kjo ishte dita ime e katërt nga dhjetë ditët e parashikuara për përshkimin e itinerarit “Majat e Ballkanit”, një rrugë prej 191 kilometrash, që lidh bujtinat dhe kalon nëpër zonat kufitare të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, nëpër atë që njihet si Bjeshkët e Nemuna.
Origjina e këtij emërtimi ogurzi lidhet, sipas versioneve të ndryshme, me djallin, luftën ose me udhëtarët që mallkonin terrenin e ashpër dhe të pamëshirshëm të këtyre maleve.
I konceptuar në fillim të viteve 2010 si një projekt ndërkufitar për paqen dhe zhvillimin e turizmit, ky itinerar synonte të rilidhte komunitetet malore të ndara nga lufta, të krijonte mundësi jetese për banorët dhe t’u jepte atyre një arsye për të qëndruar ose për t’u kthyer në fshatrat e zbrazura nga konfliktet dhe emigracioni.
Itinerari “Majat e Ballkanit” përfshin si segmente të frekuentuara, ashtu edhe shtigje anësore të qeta, ku shoqëruesit e vetëm mund të jenë një alpinist i vetëm ose një tufë bagëtish që kullosin.
Sipas këtyre treguesve, projekti ka rezultuar jashtëzakonisht i suksesshëm. Një studim i publikuar në fund të vitit 2025 në revistën shkencore “Journal of Outdoor Recreation and Tourism” vlerësoi se rreth 43 mijë alpinistë e përshkojnë tashmë këtë itinerar çdo vit, nga afërsisht 20 mijë që llogariteshin në rajon përpara pandemisë.
Kjo veprimtari sjell çdo vit më shumë se 25 milionë euro (27,7 milionë dollarë amerikanë) në zonat malore, ku shtëpitë familjare, vendbanimet e barinjve dhe fshatrat sezonalë, janë kthyer gjithnjë e më shumë në bujtina për alpinistët. Megjithatë, ky sukses po fillon të sjellë edhe mbingarkesë në disa prej vendeve që itinerari u krijua pikërisht, për t’i mbështetur, ndërsa interesi i udhëtarëve vazhdon të rritet.
Ricardo Fahrig, nga kompania e udhëtimeve aventureske “Zbulo”, me seli në Shqipëri, e cila organizon udhëtime në itinerarin “Majat e Ballkanit” që prej viteve të para të krijimit të tij, më ndihmoi të hartoja itinerarin tim individual, pa shoqërues, në këto shtigje.
Ai shpjegoi se kontrasti mes Dobërdolit të frekuentuar dhe terrenit më të qetë ku do të hyja pas mëngjesit, përmblidhte thelbin e problemit. Sipas tij, çështja nuk lidhej me numrin e udhëtarëve që përshkonin itinerarin “Majat e Ballkanit”, por me mënyrën se si shpërndaheshin ata përgjatë tij.
Disa segmente mbeten pak të vizituara, ndërsa të tjera, si Dobërdoli, përballen me një numër të madh vizitorësh gjatë një sezoni relativisht të shkurtër, që zgjat afërsisht nga qershori deri në shtator, me disa alpinistë që vazhdojnë udhëtimin edhe në fillim të tetorit.
Pas mëngjesit, mjaftuan vetëm disa hapa larg bujtinës në Dobërdol që zhurma dhe rrëmuja e mëngjesit të zhdukej menjëherë. Bashkë me to u larguan edhe alpinistët e tjerë, të cilët lëviznin si një rrjedhë uji, përgjatë shpatit të pjerrët e të gjelbër të luginës së gjerë, në formë tasi, ku të gjithë ishim zgjuar atë mëngjes.
Më pas, ata vazhduan drejt Milishevcit në Mal të Zi, ndalesa e zakonshme pas Dobërdolit.
Largimi nga itinerari kryesor “Majat e Ballkanit”, duke ndjekur një rrugë të organizuar për ecje individuale nga “Zbulo”, krijon mundësi për momente më të qeta dhe një ndjesi më të madhe vetmie.
Vetëm dy prej nesh nuk e ndoqën këtë rrjedhë. Stef Van Dam, një alpinist holandez me përvojë, të cilin e kisha takuar në ditën e dytë të udhëtimit, dhe eci pranë meje në gjurmët e lëna nga bagëtitë, përgjatë rrugës alternative që kishim zgjedhur. Edhe ai kishte vendosur të largohej nga itinerari zyrtar.
Ndërsa unë u drejtova drejt liqenit në formë zemre, poshtë Gjeravicës, majës më të lartë të Kosovës, ai u nda më vonë nga unë për t’u ngjitur në majën e saj, të cilën e cilëson si “maja e Majave të Ballkanit”.
Pasi u ngjitëm edhe 488 metra në lartësi, mbërritem në qafën e zbrazët që shënon kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës. U ulëm të dy mbi të njëjtin shkëmb, të rraskapitur. Van Dami hëngri mollën e tij në Shqipëri, ndërsa unë ajrosa flluskat e krijuara në këmbë në territorin e Kosovës, pikërisht pranë tij.
Nga ky pozicion, kufiri dukej i mbushur me ironi: një vijë aq e padukshme, saqë duhej të hamendësonim se ku kalonte saktësisht, por njëkohësisht një çështje për të cilën ishte luftuar, fortifikuar, mbyllur dhe rivizatuar për më shumë se një shekull.
Përpara nesh, një shteg i ngushtë dheu, pak më poshtë në anën e Kosovës të qafës, vazhdonte përgjatë vijës së relievit, duke u përdredhur mes një peizazhi pa pemë dhe të mbushur me gurë të mëdhenj.
Në të majtën tonë, shumë kilometra larg, dalluam fshatin Junik, ku të dy kishim planifikuar të kalonim natën. Unë do të qëndroja në një bujtinë, ndërsa Van Dami në çadrën e tij, diku aty pranë.
Van Dami tha se pikërisht këtë kishte kërkuar të gjente në atë itinerar: një vend të qetë, më të largët dhe më pak të frekuentuar se shtigjet e tjera në Evropë, dhe se më në fund e kishte gjetur.
Duke qenë se edhe unë kam përshkuar disa prej shtigjeve më të njohura dhe më të frekuentuara të Evropës, përfshirë “Camino de Santiago”, e kuptova se çfarë dëshironte të thoshte. Përveç ne të dyve dhe shqiponjës që fluturonte lart, duke shfrytëzuar rrymat e ajrit të ngrohtë, nuk dukej asnjë njeri tjetër.
Përgjatë itinerarit, bujtina të vogla i mirëpresin ngrohtësisht alpinistët, të cilët u kanë dhënë banorëve një arsye për të qëndruar ose për t’u kthyer në komunitetet e dikurshme, të tronditura nga konfliktet dhe emigracioni.
Në orët e vona të pasdites, pasi Van Dami dhe unë u ndamë në një pikë poshtë Gjeravicës, peizazhi që më parë dukej si një grumbull çatish të shpërndara, jo më të mëdha se një thua gishti, tashmë zbuloi qartë format e shtëpive verore dhe tradicionale, vendbanime sezonale të barinjve, të përbëra nga kasolle të thjeshta dhe stane të rrethuara me mure guri për mbajtjen e bagëtive.
Në bujtinën “Guest House Tofaj”, një ndërtesë trekatëshe prej guri dhe druri, oxhaku i së cilës tregonte se darka e mbrëmjes kishte nisur të përgatiten, nëntëvjeçarja Renaja merr përsipër të flasë në emër të tri brezave të grave që më prisnin në kopsht.
Nëna dhe gjyshja e saj qëndronin duke buzëqeshur pranë një pjate me biskota të ëmbla, mbi të cilat ishte formuar fjala “wellcome” (mirë se vini). Me një buzëqeshje, ha biskotën me shkronjën “l” të tepërt dhe vendos dorën mbi zemër, një gjest universal mirënjohjeje në këto male.
Familja ka filluar vetëm kohët e fundit të mirëpresë alpinistë në shtëpinë e saj dhe anëtarët e saj, përcillnin entuziazmin e veçantë të njerëzve që vazhdojnë të gëzohen për çdo vizitor të ri. Renaja më shoqëron drejt dhomës ku do të kaloja natën, në katin e tretë, nën çatinë me konstruksion në formë A-je.
Në katin e poshtëm, pica piqej në një sobë të vjetër me dru, ndërsa nëna dhe gjyshja e Renajës shtronin një tavolinë të gjatë për rreth një duzinë vizitorësh, të cilët vazhdonin të mbërrinin njëri pas tjetrit.
Koncepti i lashtë malësor i besës, sipas të cilit shtëpia nuk i përket vetëm të zotit të saj, por edhe Zotit dhe mikut, po merrte jetë para syve të mi. Ose, siç e përkufizon më vonë Fahrig, i cili i ka vizituar për herë të parë këto male në vitin 2012, me shprehjen shqiptare “bukë, kripë, zemër”.
Ai shpjegoi se ajo që ofrohet materialisht mund të ishte e thjeshtë, por ishte pikërisht mikpritja ajo që e bënte përvojën të paharrueshme.
Të nesërmen në mëngjes, vazhdova më tej drejt Kosovës, për t’iu bashkuar përfundimisht itinerarit kryesor “Majat e Ballkanit”. Tashmë, në anën tjetër të vijës së padukshme që vazhdonte, ndodhej Mali i Zi.
Gjatë ditëve në vijim, itinerari alternohej mes qafave malore të zbrazëta dhe segmenteve të herëpashershme me rrugë të asfaltuara. Këto të fundit janë një nga arsyet që, sipas Fahrig, shumë alpinistë vendosin ta shkurtojnë tërësisht këtë pjesë të rrugës.
Ai vlerësoi se zona si Gryka e Rugovës, një kalim i krijuar nga rrjedha e lumit, me mure gëlqerore që ngrihen nga 600 deri në 900 metra lartësi, tunele të hapura në shkëmb, një lumë me ngjyrë të gjelbër smeraldi dhe ujëra të shkumëzuara, si dhe pika panoramike në çdo kthesë, aktualisht merrnin rreth 30 për qind ose edhe më pak të fluksit të vizitorëve që përqendrohen në Dobërdol.
Itinerari “Majat e Ballkanit” bashkon segmente të ndryshme, që përfshijnë shtigje dheu, rrugë rurale dhe herë pas here rrugë të asfaltuara, por edhe pjesët më pak tërheqëse nga ana pamore, të çojnë drejt destinacioneve me vlerë të veçantë.
Në Drelaj, ku kjo grykë mbresëlënëse hapej drejt një lugine më të gjerë baritore, filloj të kuptoja se të anashkaloje Kosovën do të thoshte të humbisje një pjesë të rëndësishme të përvojës.
Ky fshat i qetë malor rrethohej nga të gjitha anët prej maleve të mbuluara me pyje. Përgjatë shpateve të tij të gjelbra dhe kopshteve shtriheshin shtëpi verore në stilin e shtëpive alpine, të ndërtuara me dru dhe gur, secila me ballkon ose verandë të orientuar drejt maleve dhe xhamisë, minarja e hollë e së cilës ngrihej në qendër të fshatit.
Pas një dite të kaluar mes më shumë lopëve sesa njerëzve, duke kaluar pranë fshatrave të braktisura dhe duke ndjekur skajin e një përroi përgjatë një rruge të paasfaltuar, të dëmtuar rëndë nga erozioni dhe të përdorur për shuarjen e zjarreve, më në fund dola nga pylli dhe mbërrita në rrugën e asfaltuar që përfundonte në Drelaj.
Bujtina ime, “Konaku i Malsorit”, ndodhej pak në të djathtë të minares. Një flamur shqiptar, në këtë pjesë të Kosovës me shumicë etnike shqiptare, valëvitej në flladin që përshkonte hapësirën mbi shtëpinë dykatëshe dhe kopshtin e saj, ku ishin pjekur specat, domatet, qepët dhe misri.
Minaret janë pjesë e panoramës edhe në fshatrat e vegjël të Kosovës dhe Shqipërisë.
Mikpritësi im, Blendi Lajqi, më tregoi se familja e tij ishte larguar nga Drelaj gjatë Luftës së Kosovës, në vitet 1998-1999, pasi shtëpia e tyre ishte djegur nga forcat jugosllave dhe serbe. Ai ishte vetëm gjashtë vjeç.
Pas luftës, familja ishte zhvendosur në Pejë, qytetin më të afërt të madh, dhe për rreth dy dekada, siç shpjegoi ai, shtëpia dhe toka që kishin lënë pas në këtë fshat kishin qenë “të vdekura, nuk ishin më një shtëpi”.
Krijimi i itinerarit u dha familjes së tij, ashtu si edhe familjeve të tjera të fshatit, një arsye për t’u kthyer dhe për të investuar sërish në atë që kishin lënë pas. Duke parë gjithçka përreth, ishte e vështirë të përfytyroje se ai vend kishte qenë dikur “i vdekur”.
Dhoma ku do të flija, e cila tashmë ishte rinovuar plotësisht dhe mund të funksiononte lehtësisht si një apartament më vete, dikur kishte shërbyer si spital i improvizuar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), formacionin gueril shqiptar që luftoi kundër forcave jugosllave dhe serbe gjatë luftës. Lajqi më tregoi se nëna dhe halla e tij ishin kujdesur aty për të plagosurit.
Ai shpjegoi se shumë alpinistë mbërritën pa ditur pothuajse asgjë për atë që kishte ndodhur në këto vende. Megjithatë, për ata që përpiqen të njihen me historinë e tyre, e kaluara e këtij rajoni i jepte një kuptim tjetër itinerarit dhe qëllimit për të cilin ai u krijua.
Sipas tij, bujtinat përgjatë Majave të Ballkanit nuk ishin thjesht struktura shërbimi për alpinistët. Ai theksoi se itinerari i kishte rikthyer jetën tokës dhe shtëpisë ku familja e tij kishte jetuar deri në fillimin e luftës.
Hapja e bujtinës e kishte shndërruar shtëpinë e tyre në një vend ku njerëz nga e gjithë bota mund të vinin, të qëndronin, të hanin, të bisedonin me ta dhe të njiheshin me mënyrën e tyre të jetesës. Për të, kjo përfaqëson diçka të veçantë.
Shtigjet në këtë rajon përfshijnë ndryshime të konsiderueshme në lartësi, të cilat shoqërohen edhe me pamje mbresëlënëse.
Megjithatë, pak njerëz e kanë ndjekur transformimin e këtyre maleve nga turizmi për një periudhë aq të gjatë sa Skender Selimaj, nga hoteli “Rezidenca Quku i Valbonës” në Valbonë të Shqipërisë.
Kur ai dhe vëllai i tij, Alfred, u kthyen nga Mbretëria e Bashkuar në fillim të viteve 2000, pasi ishin larguar nga Shqipëria gjatë periudhës së komunizmit, lugina e rrethuar nga mure të larta natyrore dhe maja të thepisura gëlqerore mbështetej ende kryesisht te bujqësia për mbijetesë.
Në vitin 2004, ata hapën restorantin “Rilindja”, emër që në shqip nënkupton pikërisht rilindjen, pa e ditur nëse do të kishte mjaftueshëm udhëtarë për të siguruar vazhdimësinë e aktivitetit.
Më pas, në vitin 2009, Selimaj ndihmoi në pastrimin dhe hapjen e qafave malore drejt Thethit dhe Çeremit, duke mbajtur vetë në male disa prej tabelave të para prej druri që shënonin shtigjet.
Ashtu si në shumë zona të tjera përgjatë itinerarit “Majat e Ballkanit”, fluksi i vizitorëve e ka transformuar që atëherë edhe Luginën e Valbonës. Ecja njëditore përmes Qafës së Valbonës drejt Thethit është kthyer në një nga itineraret malore më të njohura në Shqipëri, pikërisht për këtë arsye rruga ime individuale, e organizuar nga “Zbulo”, e anashkaloi qëllimisht këtë segment.
Pavarësisht kompromiseve që ka sjellë zhvillimi i turizmit, Valbona ka përfituar. Fermerët tashmë mund të shesin djathë, mish, vezë dhe qumësht në vend, me çmime më të mira. Familjet kanë siguruar burime të reja të ardhurash, ndërsa fëmijët e zonës, siç shpjegon Selimaj, ndonjëherë rriten duke folur anglisht thjesht nga takimet dhe komunikimi me udhëtarë nga e gjithë bota.
Selimaj, i cili ka punuar për vite me radhë si udhërrëfyes malor dhe në shërbimet e shpëtimit në male, vazhdon ta kalojë kohën e lirë duke eksploruar terrenin ku është rritur.
Ai kujton se dikur priste të shihte dhi të egra dhe male të zbrazëta, ndërsa tani, sipas tij, kudo që shkon, ndesh dikë. Megjithatë, nuk dëshiron që turizmi të largohet, pasi e ka parë qartë se çfarë ka bërë për jetesën e banorëve vendas.
Ajo që ai dëshiron është që Valbona të mbetet e pastër, e gjelbër dhe të ruajë karakterin e saj vendas, pa lejuar që shtëpitë e vjetra prej guri dhe bizneset familjare të zëvendësohen ose të mbulohen nga zhvillimet e mëdha turistike të investitorëve të jashtëm.
Itinerari “Majat e Ballkanit” kalon nëpër Bjeshkët e Nemuna, emërtimi i të cilave, sipas versioneve të ndryshme, lidhet me djallin, luftën ose me udhëtarët që mallkonin terrenin e vështirë malor.
Për Fahrig nga Zbulo, zgjidhja për rritjen e aktivitetit turistik nuk është domosdoshmërisht pakësimi i numrit të alpinistëve. Ajo që ai shpreson të ruajë në këtë itinerar janë “komunitetet e gjalla, dhe jo vende të formësuara tërësisht për vizitorët”.
Sipas tij, kjo mund të arrihet duke shpërndarë në mënyrë më të barabartë alpinistët përgjatë itinerarit: duke i nxitur të vazhdojnë udhëtimin edhe nëpër Kosovë, duke orientuar një pjesë të vizitorëve drejt alternativave më të qeta përtej qafave malore më të frekuentuara, si dhe duke i drejtuar udhëtarët që e kanë përshkuar më parë itinerarin ose që kërkojnë përvoja më aventureske drejt rrugëve të reja alternative në distanca të gjata, si shtegu “Malet e Sharrit”, me gjatësi 362 kilometra, që përshkon zonat e largëta dhe malore kufitare të Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë.
Në Kosovë, disa prej këtyre përpjekjeve kanë nisur tashmë.
Blendi Lajqi pritësi i bujtinës “Konaku i Malsorit”, në fshatin Drelaj të Kosovës, në zonën e Rugovës, është pjesë e një nisme vullnetare me pronarë të tjerë bujtinash dhe biznese turistike, që synon krijimin e alternativave më natyrore përreth segmenteve të asfaltuara të itinerarit fillestar, pa i përjashtuar fshatrat nga rruga.
Ky i fundit është një tjetër rrezik që mund të sjellin ndryshimet e itinerarit.
Lajqi thekson se zgjidhja më e mirë nuk është ndryshimi i plotë i itinerarit origjinal, por ofrimi i më shumë mundësive, duke ruajtur lidhjen mes fshatrave dhe njëkohësisht duke u dhënë alpinistëve përvojën malore për të cilën kanë ardhur.
Gjatë ditëve që pasojnë, vazhdova të lëvizja drejt perëndimit, duke bërë një rreth dhe duke u kthyer në drejtim të Thethit. Çdo ditë më priste një tjetër qafë malore, me një ngjitje prej rreth 900 metrash, si dhe një tjetër sanduiç me kastravec dhe domate për ta shijuar pasi të arrija në majë.
Udhëtimi shoqërohej me një përzierje të vazhdueshme befasish, disa momente tensioni dhe shumë çaste vetmie.
Herë pas here humbisja rrugën kur GPS-i im ndalonte së funksionuari ose kur zhdukeshin pikat portokalli dhe shenjat e bardha me vija të kuqe që tregonin itinerarin, por gjithmonë arrija ta gjeja sërish drejtimin.
Ndonjëherë ecja krejtësisht vetëm, ndërsa në momente të tjera shoqërohesha nga dhjetëra udhëtarë. Kishte raste kur shoqëruesit e mi të vetëm ishin lopët, kambanat e të cilave binin vazhdimisht.
Vazhdova kështu, duke grumbulluar këto momente dhe kujtime të vogla, derisa në ditën e dhjetë kalova pranë një bunkeri, një prej atyre ndërtimeve prej betoni të epokës së Luftës së Ftohtë, tashmë të rrënuara, të ngritura në numër të madh nga diktatori komunist Enver Hoxha, dhe kuptova se duhej të kthehesha sërish në Shqipëri.
Kur iu afrova Thethit, pikës përfundimtare të itinerarit tim, ndieva se kisha përshkuar të dyja anët e Majave të Ballkanit: atë që ishte mbingarkuar nga vetë suksesi i saj dhe variantin më të qetë, i cili vazhdon të ekzistojë paralelisht me të parin.
Bujtinat përgjatë itinerarit nuk janë thjesht struktura shërbimi për alpinistët. Sipas Blendit Lajqi nga “Konaku i Malsorit”, ato kanë rikthyer jetën në tokën dhe shtëpinë ku familja e tij jetonte deri në fillimin e luftës.
Për natën time të fundit në shtigjet malore, mbërrita në “Bujtina Kometa”, një bujtinë në fshatin e qetë Okol, që ndodhet rreth 2,4 kilometra larg qendrës së Thethit.
Në tavolinë u shtrua një vakt i pasur me ushqime të ndryshme, ku përfshiheshin mish pule i marinuar, patate të përgatitura me erëza, ullinj, domate, djathë i butë dhe salcë tzatziki për t’u shoqëruar me to. Gjithçka ishte përgatitur nga mikpritësja jonë, Ermira, dhe familja e saj.
E veçanta e këtyre shtigjeve është se, edhe nëse gjatë ditës zgjedh të ndjekësh rrugën tënde, në mbrëmje përfundon duke ndarë bukën me njerëz që tashmë të janë bërë të njohur.
Teksa shihja personat e ulur rreth tavolinës, kuptova se secilin prej tyre e kisha takuar diku përgjatë itinerarit. Ishin njerëz me të cilët kisha ndarë kilometra rrugë, gjatë 10 ditëve të fundit, ndërsa rrugët tona ishin kryqëzuar vazhdimisht.
Babai i Ermirës na mbushi sërish gotat me ujë dhe la të kuptohej se për ëmbëlsirë do të kishte fruta të zhytura në mjaltë. Ndërkohë, tymi i druve që vinte nga një fqinj, i cili po distilonte raki të përgatitur në shtëpi, përhapej nëpër dhomën e ngrënies me ndriçim të zbehtë.
Van Dami, i ulur tashmë përballë meje në tavolinë, zgjati dorën për të marrë një tjetër copë patate të mbuluar me salcë. Qendra e frekuentuar e Thethit, me autobusët turistikë dhe vizitorët që vinin vetëm për një ditë, dukej ende shumë larg.
Edhe për një natë tjetër, këto Bjeshkë të Nemuna dhe gjithçka që mbartin në vetvete, besa, kufijtë, bukuria dhe historitë e gdhendura në to që na rrethonin, dëshmonin se hapësirat e gjera dhe qetësia vazhdonin të kishin vendin e tyre në këto male.
Shumica e alpinistëve e përfunduan itinerarin e plotë “Majat e Ballkanit” për rreth 10 deri në 13 ditë.
Si mund ta përshkoni itinerarin “Majat e Ballkanit”
Itinerari i plotë rrethor “Majat e Ballkanit” shtrihet në një gjatësi prej rreth 191 miljesh (192 kilometra), duke përshkuar Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi.
Shumica e alpinistëve u kushtojnë rreth 10 deri në 13 ditë përfundimit të gjithë itinerarit, megjithëse ekzistojnë edhe variante më të shkurtra, prej pesë deri në tetë ditësh, të cilat anashkalojnë ose shkurtojnë disa prej segmenteve të rrugës.
Shumica e itinerareve përfshijnë nga pesë deri në tetë orë ecje në ditë, duke përshkuar zakonisht nga 13 deri në 27 kilometra, me ngjitje dhe zbritje të konsiderueshme në lartësi.
Si të mbërrini
Udhëtimi mund të nisë me një fluturim drejt Podgoricës në Mal të Zi ose Tiranës në Shqipëri. Më pas, udhëtarët mund të vazhdojnë me transport të organizuar ose me automjete 4×4 drejt pikave të nisjes së itinerarit, në Theth, Valbonë ose Plavë.
Kur është periudha më e përshtatshme për të udhëtuar
Sezoni kryesor për ecjet malore zgjat nga qershori deri në shtator, por vitet e fundit po shtrihet gjithnjë e më shumë edhe gjatë muajit tetor.
Periudha nga fundi i qershorit deri në gusht përgjithësisht, ofron kushte më të qëndrueshme për kalimin e qafave malore, megjithëse itinerari mund të jetë mjaft i frekuentuar.
Në fillim të qershorit, në qafat më të larta mund të ketë ende dëborë, ndërsa shtatori konsiderohet periudha më e përshtatshme për shkak të kushteve të favorshme të motit për ecje malore. Fluksi i madh i vizitorëve gjatë këtij muaji dëshmon se shumë udhëtarë e dinë këtë.
Fillimi dhe mesi i tetorit mund të ofrojnë peizazhe veçanërisht të bukura për alpinistët me përvojë, të gatshëm të përballen me ditë më të shkurtra, net më të ftohta dhe mundësinë e reshjeve të herëpashershme të dëborës.
Në pjesën e fundit të muajit tetor, bujtinat në lartësi të mëdha fillojnë të mbyllin aktivitetin dhe nuk rihapen deri në fillim të majit ose në qershor të vitit pasardhës.
Ku mund të qëndroni
Mundësitë e akomodimit përgjatë itinerarit variojnë nga bujtinat familjare dhe shtëpitë pritëse deri te strehimet e thjeshta malore, kabinat prej druri dhe hotelet e vogla.
Në segmentet më të largëta të itinerarit, udhëtarët duhet të presin dhoma të thjeshta, ndonjëherë të përbashkëta, si dhe darka të bollshme të përgatitura në shtëpi, mëngjese dhe shpesh edhe ushqime të paketuara për drekën e ditës pasardhëse.
Buxheti i parashikuar është rreth 25 deri në 55 dollarë amerikanë për person në natë, në varësi të llojit të dhomës dhe nëse çmimi përfshin edhe vaktet ushqimore.
Gjatë sezonit të lartë turistik rekomandohet që rezervimet të bëhen paraprakisht. Udhëtarët këshillohen gjithashtu të mbajnë me vete para në dorë, në lekë shqiptare ose euro, mundësisht në prerje të vogla, pasi pagesat me karta bankare dhe bankomatet janë të rralla në zonat malore.
Në muajin maj dhe në periudhat e tjera jashtë sezonit kryesor, është e mundur që dhomat të rezervohen edhe gjatë udhëtimit, pa një planifikim të gjatë paraprak.
Megjithatë, nga qershori deri në shtator, veçanërisht në pikat ku përqendrohen shumë vizitorë, si Dobërdoli, Thethi dhe Valbona, është më e këshillueshme që rezervimet të kryhen disa javë përpara.
Kampingu është gjithashtu një mundësi në disa pjesë të itinerarit. Disa bujtina u lejojnë alpinistëve të ngrenë çadrat në territorin e tyre kundrejt një pagese të vogël, duke u dhënë mundësinë të përdorin edhe ambientet e shërbimit ose të blejnë ushqime. /