Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, opozita në sallë me 13 deputetë të përjashtuar
Kuvendi mblidhet sot më 18 nëntor në orën 10:00, me një nga çështjet më të rëndësishme financiare të vitit në rendin e ditës. Deputetët do të diskutojnë dhe votojnë në parim Buxhetin e vitit 2027, së bashku me paketën fiskale, që përcakton ndryshimet në sistemin e taksave dhe detyrimeve për vitin e ardhshëm.
Seanca pritet të shoqërohet me përplasje politike, ndërsa Partia Demokratike do të jetë e përfaqësuar me një numër më të vogël deputetësh, për shkak të masave disiplinore ndaj 13 përfaqësuesve të saj. Mes tyre janë edhe figura drejtuese të opozitës, si kreu i Grupit Parlamentar Gazment Bardhi dhe Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka.
Pas votimit në parim, projektbuxheti do t’i rikthehet komisioneve parlamentare për shqyrtimin e detajuar të çdo neni, përpara se të mbërrijë sërish në sallën e Kuvendit për votimin përfundimtar. Në të njëjtën seancë do të shqyrtohen edhe disa ndryshime në ligjet për tatimin mbi të ardhurat, TVSH-në, procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat, si dhe ndryshime në ligjin për strehimin social.
Në përfundim të rendit të ditës janë parashikuar diskutime për çështje jashtë saj, ndërsa vëmendja kryesore pritet të përqendrohet te debati për politikat ekonomike të qeverisë dhe mënyra sesi do të shpërndahen financat publike gjatë vitit 2027.