E mërkurë, 18 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›UASHINGTON – SHBA-ja miraton shitjen e sistemeve raketore HIMARS për Shqipërinë, me vlerë 210 milionë dollarë

UASHINGTON – SHBA-ja miraton shitjen e sistemeve raketore HIMARS për Shqipërinë, me vlerë 210 milionë dollarë

UASHINGTON, 18 nëntor /ATSH – Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka miratuar shitjen e mundshme të sistemeve të artilerisë raketore me lëvizshmëri të lartë HIMARS (M142) për Shqipërinë, së bashku me pajisjet dhe shërbimet mbështetëse. Vlera e përgjithshme e kësaj pakete ushtarake parashikohet të jetë 210 milionë dollarë.

Sipas njoftimit për shitjen e mundshme të pajisjeve ushtarake jashtë vendit, qeveria shqiptare ka kërkuar blerjen e dy sistemeve HIMARS, gjashtë pakove me raketa të drejtuara GMLRS M31A2, gjashtë pakove me koka luftarake alternative GMLRS M30A2, si dhe të tetë sistemeve për shkëmbimin dhe përpunimin e të dhënave taktike të artilerisë (IFATDS).

Paketa përfshin gjithashtu, dy automjete të blinduara me shumë funksione dhe lëvizshmëri të lartë (HMMWV), pajisje komunikimi, sisteme navigimi, mjete transporti dhe furnizimi, pjesë këmbimi, pajisje mirëmbajtjeje, mjete testimi, si dhe shërbime trajnimi dhe asistence teknike.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, kjo shitje synon të mbështesë objektivat e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare të SHBA-së, përmes forcimit të sigurisë së një vendi aleat në NATO.

Në njoftim theksohet se pajisja e Shqipërisë me këtë kapacitet, do të përmirësojë aftësinë e saj për t’iu përgjigjur kërcënimeve aktuale dhe të ardhshme, duke i siguruar Forcave të Armatosura mundësi për goditje precize në distanca të gjata.

Sipas palës amerikane, ky kapacitet do t’i mundësojë Shqipërisë të parandalojë, neutralizojë dhe shkatërrojë kërcënimet e mundshme, si dhe të rrisë kontributin e saj në planet e mbrojtjes së NATO-s.

Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson se Forcat e Armatosura shqiptare nuk do të kenë vështirësi në integrimin e këtyre pajisjeve dhe shërbimeve në strukturat e tyre. Gjithashtu, shitja e propozuar nuk pritet të ndryshojë ekuilibrin bazë ushtarak në rajon dhe nuk do të ketë ndikim negativ në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së.

Kontraktori kryesor për këtë marrëveshje të mundshme do të jetë kompania amerikane “Lockheed Martin”, me seli në Grand Prairie, Teksas. Deri në këtë fazë, qeveria amerikane nuk ka dijeni për ndonjë marrëveshje kompensimi industrial, të propozuar në kuadër të shitjes.

Zbatimi i programit do të kërkojë udhëtime në Shqipëri të deri në 15 përfaqësuesve të qeverisë amerikane dhe 15 përfaqësuesve të kompanisë kontraktore, rreth dy herë në vit, për të mbështetur administrimin e programit, instalimin dhe dorëzimin e pajisjeve, si dhe trajnimet. /

Lini një koment